Pjesë e grupit kriminal në Itali e Shqipëri/ SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë së Bledar Seferit dhe familjarëve të tij

Shqipëria

Pjesë e grupit kriminal në Itali e Shqipëri/ SPAK kërkon konfiskimin e pasurisë së Bledar Seferit dhe familjarëve të tij

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 10:39

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar verifikimet në lidhje me procedimin pasuror në ngarkim të Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe familjarëve të tij.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin Nr.03 datë 07.02.2020, ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Bledar Seferi (alias Hakorja) dhe familjarëve të tij, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se Bledar Seferi (alias Hakorja), ka pasur lidhje me shtetasin Giovanni Di Cosimo dhe pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal në Itali e Shqipëri dhe është i përfshirë në aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Në përfundim të procesit të hetimit pasuror u arrit në konkluzionin se lidhur me pasuritë e sekuestruara ekzistojnë të gjitha kushtet e parashikuara në nenin 24 të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për të vendosur konfiskimin e tyre. Në këto kushte Prokuroria e Posaçme me datë 15.06.2021, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurive të shtetasit Bledar Seferi (alias Hakorja), si dhe familjarëve të tij, si më poshtë:
1. Një fabrikë për prodhimin e lëndëve plastike në Shijak, Durrës. Asetet, aksionet/kuotat dhe pasuritë e subjektit “REY PLASTICA” sh.p.k. me NIPT L71325502Q, me status aktiv.
2. Pasuria e llojit Arë+Truall me sipërfaqe 5954 m², nga kjo sipërfaqe ndërtesë 3070 m², ndodhur në Durrës. Në këtë pasuri ushtron aktivitetin subjekti “REY PLASTICA” sh.p.k.
3. Pasuria e llojit ullishtë me sipërfaqe 6550 m², ndodhur në Tiranë.
4. Automjet i markës “Fiat”, modeli 500, viti prodhimit 2008
5. Automjet i markës “Land Rover”, modeli RANGE ROVER, viti prodhimit 2014;
6. Automjet i markës “AUDI”, modeli A2, viti prodhimit 2001;
7. Automjet i markës “Fiat”, modeli 500L, viti prodhimit 2014;
8. Automjet i markës “Mercedes Benz”, modeli B180 CDI, viti prodhimit 2012;
9. Llogari bankare në shumën 3.103.244 lek.
10. Llogari bankare në shumën 21.022 euro.

Kush është Bledar Hakorja

Bledar Hakorja Alias “Seferi”, është njëri nga anëtarët e grupit kriminal Shqiptar “Kompania Bello”, i cili kryente trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latinë në Europë.

Bledar Seferi, ka vepruar në Amsterdam të Holandës dhe Bari të Italisë në një celulë kriminale dhe më pas ka vepruar në Shqipëri, duke hapur biznese të ndryshme, duke filluar nga dyqan Fast-Food e deri tek një kompani “Cosimo Rey Plastica”.

Seferi dyshohet se ka mbajtur bashkëpunim me grupin e Eldi Dizdarit në Holandë e Itali, por sipas dosjes italiane ka bashkëpunuar dhe me persona si, Giusepe Di Cosimo që njihet me nofkën “Pinoku”, Cristian Di Cosimo, Giuseppe Signorile, Sebastiano Porro dhe Shkëlzen Dacin.

Giusepe dhe Kristian Di Cosimo, janë babai dhe vëllai i njërit nga anëtarët e këtij grupi të arrestuar në Durrës, për llogari të autoriteteve italiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat