Çuçi: Bashkëpunim kundër krimit me SPAK dhe BKH

Shqipëria

Çuçi: Bashkëpunim kundër krimit me SPAK dhe BKH

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 18:07
Bledi Çuçi

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka zhvilluar një takim online me drejtoreshën ekzekutive të Europol Catherine De Bolle. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai shprehet se kanë diskutuar mbi bashkëpunimin e deritanishëm ku Shqipëria është përfshirë në operacione kundër veprimtarive kriminale.

Çuçi thekson se është diskutuar shtrirja e bashkëpunimit me SPAK dhe BKH për goditjen e krimit në vend.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me drejtoreshën ekzekutive të Europol, znj. Catherine De Bolle. Diskutuam mbi stadin e bashkëpunimit të deritanishëm, ku Shqipëria është një aktor i përfshirë në formë të drejtpërdrejtë në operacionet e përbashkëta kundër trafiqeve dhe veprimtarive të tjera kriminale.

Çështje tjetër me rëndësi gjatë diskutimit që pata me të, ishte edhe shtrirja e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit edhe me institucionet e reja të drejtësisë të ngritura në vendin tonë siç është Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Rritja e sasisë dhe e cilësisë së informacionit të shkëmbyer, si dhe ky dimension i ri bashkëpunimi që duam të krijojmë me SPAK e BKH, do të ndihmojë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme. Shqipëria ka një rol aktiv në EUROPOL dhe vijon të jetë shtet drejtues në operacione veprimi, por kemi natyrisht ambicien të marrim një rol të shtuar në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacione njësoj si të ishim shtet anëtar i Bashkimit Europian”, shkruan ministri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat