Vrasja e Birçaj, përjashtohet polici i antidrogës

Shqipëria

Vrasja e Birçaj, përjashtohet polici i antidrogës

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:46
Pamje nga vendi i ngjarjes

Granit Deromemaj, efektivi i antidrogës në policinë e Vlorës, është përjashtuar nga radhët e policisë me firmë të Drejtori të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Vendimi ka lidhje me vrasjen e biznesmenit Bledar Birçaj ne 11 Maj, në Vlorë, pasi në makinë me të gjatë atentatit ishte dhe Deromemaj i cili i shpëtoi plumbave.

Dhe pse kishte armën e shërbimit me vete, ai nuk ka ndërhyrë për neutralizimin e situatës.

Shoqërimi i efektivit me Bledar Birçaj dhe  Edison Zenelin, dhe ky me precedent penal,   ul reputacionin e policisë.

Për më tepër, viktima ishte i pajisur me pistoletë pa leje në makinë dhe Granit Deromemaj, e ka fshehur këtë fakt. Janë këto fakte qe kanë çuar në përjashtimin e tij nga policia. Ndërkohë në rrëfimin e tij para grupit të hetuesve efektivi i antidrogës ka thënë se me viktimën njihej dhe se ai e kishte përdorur për qëllimet e veta pa dijeni.

Po ashtu ka deklaruar se nuk kishte informacion se Birçaj ishte me arme pa leje.

“Ishim të papërgatitur, na bënë pritë. Ramë direkt pre e breshërisë së kallashnikovit. Pashë dy veta me maska, por nuk i njoha dot. Ishin të kamufluar. Nuk jam në dijeni të ndonjë konflikti të fundit. Jam i tronditur, mendova se më kapën edhe mua plumbat," është shprehur Deromemaj.

Deri tani për këtë ngjarje nuk ka autorë të arrestuar, ndërsa ekzekutimi u krye nga dy persona, të cilët dyshohet të jenë ndihmuar edhe nga të tjerë.

40-vjeçari, Bledar Birçaj u vra në një atentat të mirë-organizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”.

Në drejtim të automjetit është qëlluar mbi 16 herë ndërkohë që në trupin e viktimës mendohet se janë konstatuar deri në 4 plumba duke e lënë të vdekur në vend.

Birçaj qe prej 13 Shkurtit 2021, ishte kthyer nga Spanja, dhe një nga pistat ku po hetohet janë konfliktet që mund të ketë pasur atje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat