Erion Veliaj dhe kryebashkiaku i Athinës përurojnë Parkun Helen në liqenin e Farkës:

Shqipëria

Erion Veliaj dhe kryebashkiaku i Athinës përurojnë Parkun Helen në liqenin e Farkës:

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 19:09
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryebashkiaku i Athinës, Kostas Bakoyannis përuruan sot “Parkun Helen”, i cili ndodhet në një hapësirë mjaft të bukur në liqenin e Farkës. Të pranishëm në përurim ishin edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippiddou, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe mitropoliti i Amantias Nathanaili. Parku Helen u realizua me ndihmën e Ambasadës së Greqisë në Tiranë.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se ky park kaq i këndshëm dhe çlodhës për qytetarët, është një hapësirë kushtuar marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

“Ajo që na lidh me njëri-tjetrin nuk është thjesht fryma mesdhetare dhe historia, por edhe marrëdhëniet tona, të cilat janë shumë më tepër se kaq. Greqia, është një nga ato vende mike që na ka mbështetur pa rezerva në të gjitha hapat tona të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjestin e sotëm, të shënjuar me këtë park, e konsiderojmë si një shenjë mirënjohje, por edhe një stoli për të festuar marrëdhëniet e shkëlqyer dhe raportin special mes Tiranës dhe Athinës, Shqipërisë dhe Greqisë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se qytetarët e Tiranës tani kanë një tjetër hapësirë të gjelbër ku do mund të kalojnë disa orë qetësie, teksa nënvizoi se të dielën do të zhvillohet tregarëshi TIRANATHLON.

“Në këtë njësi të stërmadhe tani që quhet bashkia e re metropolitane e Tiranës, do të trashëgojnë një hapësirë fantastike prej 5500 m2, e konceptuar si një hapësirë shumëdimensionale dhe gjithëpërfshirëse për aktivitete sportive. E kemi dekoruar me bimësi tipike mesdhetare si element unifikues mes Shqipërisë dhe Greqisë, siç keni parë ullinjtë, apo shumë prej shkurreve dekorative që janë të ngjashme në të dy vendet tona”, pohoi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat