Detaje nga arrestimi i prokurorit me urdhër të SPAK, si hoqi dorë nga rritja në detyrë për ”arsye shëndetësore”

Shqipëria

Detaje nga arrestimi i prokurorit me urdhër të SPAK, si hoqi dorë nga rritja në detyrë për ”arsye shëndetësore”

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 11:40
Sali Hasa

Me urdhër të SPAK, policia bëri një goditje në jug të vendit, duke vënë në pranga prokurorin e Sarandës dhe disa persona të tjerë.

Prokuroria Sali Hasa akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv. Ai u arrestua passi dyshohet se ka pushuar akuzën e plagosjes për Emiljano Miranin, pasi ka marrë ryshfet nga motra e tij, Elsona Papa.

Në pranga ra edhe oficeri i Policisë Gjyqësore, Napolon Hodaj, i cili dyshohet se në bashkëpunim me ish- ekspertin mjeko-ligjor, Hysen Korenica kanë mundësuar shpëtimin nga akuzat të një personi të akuzuar për “vjedhje me dhunë” dhe “plagosje”.

Së bashku me këta zyrtarë, janë vënë në pranga edhe katër persona të tjerë mes të cilëve një arbitër i ndeshjeve sportive si dhe një zyrtar i klubit sportiv të Përmetit, të akuzuar për paracaktim të rezultateve sportive si dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Qerim Ruci dhe Bledar Hajredini dyshohet se kanë paracaktuar rezultatin për ndeshjen Slenica-Permeti. 

Çështjet janë të pavarura nga njëra-tjetra, por janë zbuluar nga përgjimet e hetimit të parë. 

Hasa hoqi dorë nga rritja në detyrë për ”arsye shëndetësore”

Prokurori Hasa nuk ka kaluar ende në Veting, dhe jo më larg se në muajin mars ai hoqi dorë nga gara për pozicionin e kreut të prokurorisë së Sarandës, me pretendimin se kishte probleme shëndetësore .

“Pasi u njoh me relacionin e përgatitur nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli vendosi ndërprerjen dhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë të prokurorit z. Sali Hasa, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Sarandë. 

Gjatë procedurës së verifikimit, kandidati Sali Hasa ka depozituar kërkesën dt. 10.05.2021, drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në të cilën i ka kërkuar Këshillit, heqjen dorë nga kandidimit për arsye shëndetësore”, thuhej në njoftimin zyrtar, të shpërndarë nga KLP rreth një muaj më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat