Punësimet në fushatë, Meta: I ndihmoi pandemia, PS i duheshin të punësuar dhe njerëz të kënaqur

Shqipëria

Punësimet në fushatë, Meta: I ndihmoi pandemia, PS i duheshin të punësuar dhe njerëz të kënaqur

Më: 26 qershor 2021 Në ora: 17:55
Gerta Meta

Një raport i Akademisë së Studimeve Politike që ka monitoruar sjelljen e administratës publike gjatë fushatës ka evidentuar se numri i nëpunësve civilë të administratës shtetërore është rritur në muajt e fundit para fushatës zgjedhore.

Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, thotë se kjo është një histori e përsëritur në çdo proces zgjedhor që në rastin e 25 prillit sipas saj i ndihmoi dhe pandemia.

Meta: Në administratë gjithmonë në periudha zgjedhore ka kontrata me punësime të përkohshme. I ndihmoi situata e pandemisë. Meqë ishin në kohë pandemie njerëzit sëmureshin, duheshin zëvendësuar. Ne e shohim tani pas zgjedhjeve që të gjitha këto kontrata janë shfuqizuar. Ka qenë një përpjekje e PS, e qeverisjes aktuale për të pasur një lloj ndikimi te procesi zgjedhor që të kishte sa më shumë të punësuar, që të ishin njerëzit më shumë të kënaqur dhe indirekt njerëzit do të votonin për PS.

E ftuar në Ora News, Meta nënvizon se sjellja e pushtetit gjatë fushatës ka qenë edhe një shqetësim ndërkombëtar.

Meta: Përveç syrit të ndërkombëtarëve që kanë qenë shumë të shqetësuar realisht dhe në deklaratat e tyre, edhe ne si vëzhgues vendorë kemi bërë punën tonë dhe besoj se kemi qenë të suksesshëm për të dhënë atë jehonën se çfarë nuk shkoi me zgjedhjet e 25 prillit.

Sipas Metës, KQZ duhet të kishte vepruar me dorë më të hekurt ndaj Kuvendit, Qeverisë dhe bashkive për të ngrirë veprimtarinë e tyre 4 muaj para zgjedhjeve.

Meta: Ka një problematikë, me partinë që është në mazhorancë është pak vështirë për ta bërë ndarjen midis shtetit dhe partisë ose subjektit elektoral që është në garë sepse bëhen një. Ti nuk arrin ta dallosh se në cilin rol është kryeministri dhe në cilin rol është kryetari i mazhorancës, kryetari i PS, apo anasjelltas kur kanë qenë rotacionet politike.

Kodi Zgjedhor këtë qasje kishte pozitive, që në fund të fundit këta ligjvënës që hartojnë ligje, miratojnë ligje dhe kanë një kërkesë të lartë llogarie te votuesit dhe qytetarët e tyre që ti respektojnë këto ligje dhe në momentin që qytetari nuk i respekton të gjithë e dimë që merr penalitetin menjëherë dhe ndëshkohet menjëherë.

Kurse përsa i përket zyrtarëve të lartë qoftë në nivel qëndror, qoftë në nivel lokal, shikojmë që ka një lloj përkëdhelie për me i shmang nga përgjegjësia dhe penaliteti. Dhe ndoshta KQZ  e strukturuar dhe me një format të ri në zgjedhjet e 25 prillit të kishte si detyrim dhe si një forcë madhore që ti fuste në binarë dhe shina këta përfaqësues, këta qeveritarë, këta këshilltarë, këta kryetarë bashkish që katër muaj para zgjedhjeve ata as nuk mund të hartonin ligje  pavarësisht se ka qenë shumë e dukshme dhe e shkelur.

U miratuan ligje dhe VKM-ra të cila e shkelën standardin e zgjedhjeve sidomos në periudhën katër muaj para zgjedhjeve. Ka pasur një lloj hileje sepse KQZ e nxori si vendim në 26 dhjetor dhe gjithë loja politike e mazhorancës ishte që disa ligje të shpallura dhe miratuara kanë pasur një vendimmarrje pak më përpara se data 26 dhjetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat