"Teatri", Aleanca e akuzon Sorecën se po lobon në favor të Veliajt në Kushtetuese, mohon Ambasadori: Shpifje!

Shqipëria

"Teatri", Aleanca e akuzon Sorecën se po lobon në favor të Veliajt në Kushtetuese, mohon Ambasadori: Shpifje!

Më: 30 qershor 2021 Në ora: 13:17
Foto nga takimi

Vendimi i KKT-së për të miratuar lejen e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar ka bërë që artistët dhe shoqëria civile të paraqiten sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Avokatja, Adriana Kalaja, ka akuzuar për ndërhyrje në punët e Gjykatës Kushtetuese si nga politika ashtu dhe nga trupi diplomatik.

"Informacioni që ne kemi është se zoti Soreca ka ardhur për të lobuar në favor të kryetarit të Bashkisë sepse mendon që ne qëndrestarët e Teatrit mund ti kalojmë gjërat kaq lehtë."

Me tone të ashpra, Kalaja deklaroi se do të dërgojë ankesë në Bashkimin Europian ndaj ambasadorit Soreca.

"Ne do të marrim të gjithë hapat ligjorë që zoti Soreca të shpallet non grata. Nuk mundet dot më Shqipëria të bëhet vendi i Ambasadorëve, nuk mundet dot më që vendimet për interes të familjeve tona, të fëmijëve tanë, ti marrin ambasadorët."

Reagon BE: Soreca e takoi Vitore Tushën për reformën në drejtësi

Fill pas këtyre deklaratave, delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat, sipas tij të bazuar në shpifje.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021.

"Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare".

Delegacioni i BE-së thotë se rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.

Në pritje të zbardhjes së vendimit për shembjen e teatrit

Vonesën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur pezullimin ose jo të ndërtimit të Teatrit Kombëtar anëtarët e Aleancës e quajnë të qëllimshme.

"Është dhe qasja e gabuar e Gjykatës Kushtetuese që institucionet përgjegjëse vazhdojnë presionin, vazhdojnë ti bëjnë karshillëk kësaj gjykate".

Prej datës 16 qershor, trupa e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese është tërhequr për të dhënë vendim nëse shembja e ndërtesës është e drejtë apo jo.

Pavarësisht këtij afati ende nuk ka një zbardhje të vendimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat