Veliaj sqaron vendimin e Kushtetueses për Teatrin

Shqipëria

Veliaj sqaron vendimin e Kushtetueses për Teatrin

Më: 5 korrik 2021 Në ora: 14:08
Erion Veliaj

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, në një lidhje Skype me emisionin “Breaking” në Top News, sqaroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me pezullimin e punimeve për Teatrin Kombëtar, por për hedhjen poshtë të një ligji të anuluar nga vetë ata.

Ai tha se shumë shpejt do të fillojnë punimet për Teatrin e ri, dhe se sipas tij të njëjtët histerikë që protestuan kundra Liqenit, Qendrës apo Pazarit të Ri, do të harrohen dhe do të paguajnë të parët biletën për shfaqje në Teatër.

“T’i shkosh pas avazit çdo grupi histerik, kush i mban mend protestuesit e liqenit, e Astirit, qendrës apo pazarit të ri. Ne do shohim përpara të bëjmë punën. Unë nuk paguhem të rri në televizor e të bëj muhabet me çdo histerik. Nuk ja vlen. Duke iu përgjigjur marrëzisë, bëhesh dhe ti i marrë. Të më kërkosh të komentoj njerëz që janë pa punë, pa kontribut, pse duhet të harxhoj kohë.

Nuk ka asnjë pengesë, Kushtetuesja anuloi një ligj që ne vetë e rrëzuam. Komisioni negociator i Bashkisë së Tiranës dhe i artistëve e rrëzoi atë ligj se nuk ramë dakord me ofertën e privatit. Ne e donim me dy kate, jo një kat parkimin, donim më shumë metra katrorë, kemi shkuar në 17 mijë metra katrorë, pra mbi 10 fishin e asaj që donim. Ne e donim skenën me rotativ 360 gradë që ishte shumë më e kushtueshme.

Sot Kushtetuesja thjeshtë noterizoi rrëzimin që ne i kemi bërë këtë ligji para 1 viti. Kam vendosur të fokusohem te puna, nuk merresh dot me llafe kur ke kaq shumë punë. Janë harruar të gjitha protestat. Kështu do harrohet dhe kjo dhe do mbahet mend kush bëri teatrin. Unë dhe kryeministri kemi vendosur të merremi me punë.

Vendimi i prishjes së teatrit doli legjitim nga gjykata. Të gjithë duan si jashtë shtetit por kur vjen puna për t’i bërë s’duan. Nuk do fitojë histeria, do fitojë puna.

Gjykata nuk ka pezulluar punimet, e kemi lënë këtë, unë dhe Rama kemi marrë lejen, dhe sapo të vendoset projekti do fillojë puna. Brenda këtij viti fillojmë, kemi fondet, fundi i verës, fillimi i vjeshtës jemi gati,” tha Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat