A kishte apo jo vlera historike Teatri? Kushtetuesja: Nuk mund ta vlerësojmë

Shqipëria

A kishte apo jo vlera historike Teatri? Kushtetuesja: Nuk mund ta vlerësojmë

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 18:47
Teatri Kombëtar

Gjykata Kushtetuese thotë se nuk është në kompetencën e saj që të analizojë nëse godina e Teatrit Kombëtar kishte apo jo vlera kulturore e historike kombëtare, por megjithatë konstaton në vendimin e zbardhur për këtë çështje se ajo godinë mbartte disa vlera.

“Ka mbartur cilësi emocionale, shpirtërore dhe kulturore të veçanta në historinë e vendit. U shfaqën pjesë teatrore dhe për herë të parë në Shqipëri, opera e koncerte të muzikës klasike, por edhe koncerte të muzikës folklorike shqiptare. Në vitin 1945 u dha premiera e parë “Topazi”, e cila shënoi edhe lindjen e të parit teatër profesionist në Shqipëri. Prej 73 vjetësh kompleksi i godinave ka qenë selia e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, një nga institucionet artistike më të rëndësishme në vend, në të cilin kanë lindur të gjitha institucionet kombëtare të artit skenik dhe edukimit artistik”, thuhet në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata thotë se ndër vite ka një kakofoni dhe vlerësime të ndryshme nga institucionet mbi vlerat e godinës, duke filluar prej vitit 2004. Gjykata çmon se procesi i kryer nga institucionet kompetente ka dhënë rezultate tërësisht të ndryshme në funksion të vlerës kulturore të Teatrit Kombëtar, në një kohë shumë të shkurtër.

“Në vitin 2004 kur IMK-ja e ka shpallur monument kulture me shkresën nr. 351 prot., datë 13.05.2004, ndërkohë që vetëm 5 ditë më vonë, me shkresën nr. 356 prot., datë 18.05.2004, e ka deklaruar ndërtesë pa vlerë. Që prej këtij momenti e në vijim ky monument nuk është shpallur më objekt me vlerë kulturore, pavarësisht se është përfshirë 2 herë në mbrojtjen paraprake 6 – mujore, në vitin 2015 dhe në vitin 2016”, thotë Gjykata.

Nga dokumentacioni që ka administruar, Gjykata Kushtetuese thotë se nuk është në gjendje që të vlerësojë qartësisht se cilat kritere mungonin që ky objekt të shpallej me vlerë kulturore, si dhe përse nuk ka mbizotëruar nevoja për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të tij.

“Ndonëse Kuvendi ka miratuar një ligj me standarde bashkëkohore për trashëgiminë kulturore, në të cilin parashikohet edhe kriteri kohor i vjetërsisë më shumë se 70 vjet, nuk rezulton të jetë bërë verifikimi i interesit kulturor publik për Teatrin Kombëtar, që është një tregues i mungesës së koherencës së veprimeve të organeve shtetërore”, thotë Kushtetuesja.

Organet shtetërore, sipas Gjykatës, nuk janë sjellë në mënyrë koherente, kanë krijuar mosbesim te shteti i së drejtës, si dhe kanë dështuar në kryerjen e procesit të duhur ligjor për procesin e vlerësimit të godinave të Teatrit Kombëtar. Për rrjedhojë, Gjykata çmon se procesi i ndjekur në lidhje me vlerat historiko-kulturore të godinave të Teatrit Kombëtar si për shkak të historikut të tij, ashtu dhe të përfshirjes në qendrën historike të qytetit të Tiranës nuk është trajtuar me kujdesin dhe seriozitetin e duhur. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat