“Topi te qeveria”, bizneset kanë dy kërkesa

Shqipëria

“Topi te qeveria”, bizneset kanë dy kërkesa

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 21:43
Foto ilustrim

Pronarët e bizneseve në zonën e “Lungomares” në Vlorë nuk heqin dorë nga protesta. Mbrëmjen e sotme ata deklaruan se nëse dy kërkesat e tyre, për zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës deri në 24:00 dhe lejimit të orës policore të lëvizjes nga 24:00 në 02:00 nuk do të tërhiqen, por do të vazhdojnë protestën. Vendimin e qeverisë për zgjatjen e fashës vetëm me një orë të lejimit të muzikës, e cilësuan “karamele”.

“Këtu është kulmi i protestës sonë, ne paralajmëruam mbyllje totale për 24 orë të bizneseve. Jemi mbledhur këtu të gjithë në një zë unanim, që ne këtë cështje e kemi problem serioz dhe është si puna e armëve kimike, që u mblodhën të gjithë, që nuk kishte asnjë lidhje politike, por është indinjatë e sinqertë që na prek të gjithëve. Të hiqet gardhi policor, nuk ka polici në sfond, por vetëm turizëm.

Lexo edhe: Protestë në Vlorë, pronarët e bizneseve rrethojnë lokalet me shirita: Mos na prekni klientët  

Fasha orare të paktën të kalojë deri në orën 02:00 dhe pa ndotjen akustike që e përmendi edhe kryeministri që jemi plotësisht dakord, por ne nuk mund të ndjekim dot klientët në orën 2 dhe me logjikë të shëndetshme nga ora 24:00 deri në 2 të mëngjesit klientët janë më në pakicë dhe ambienti është më i sigurt dhe qetë përsa i përket covid dhe ora muzikore që kërkuam, që ne na u duk si një karamele që na u dha nga ora 22:00 deri në 23:00, sidoqoftë faleminderit edhe për atë.

Ne kërkojmë që deri në 24:00 ne të kemi një sfond muzikor që të ushtrojmë biznesin tonë. Nesër do të vazhdojmë dhe do të presim përgjigjen e kryeministrit, jemi duke diskutuar për hapat e radhës.

Besojmë që kjo protestë e jona dhe ky mesazh të merret shumë seriozisht nga qeveria. Jo vetëm me fashën muzikore, por edhe policore që nga 24:00 të shkojë në 02:00, dhe si në cdo vend të Europës të mos vijnë policët me uniformë, por civilët. Sikur ne ushtrojmë profesionin, kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga policia. Për policët e thjeshtë kemi rezervat tona.

Ne e bëmë këtë protestë në mënyrë më të qytetëruar. Ne hapin e parë e bëmë, ne presim që kryeministri dhe qeveria të na e kthejë me të njëjtën dashamirësi” tha njëri prej pronarëve. Ndërsa një tjetër theksoi se “Topi ka mbetur në fushën e qeverisë. Nëse jo do të mblidhemi dhe do të vazhdojmë”.

Mbrëmjen e sotme ata i rrethuan në mënyrë simbolike lokalet e tyre me shirita duke ndezur disa qirinj, ndërsa vendosën edhe disa pankarta me mesazhe “mos na prekni klientët”, etj. “Qirinjtë, është simbolikë që ne jemi qytet turistik që i takon të jetë i denjë për turizmin, që të jetë plot dritë dhe ngjyra, muzikë dhe shërbim të denjë dhe jo me orë, që ne e kemi quajtur orë mortore” shpjegoi njëri prej biznesmenëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat