SPAK vijon me arrestime zyrtarësh të lartë për korrupsion, vjen mesazhi i fortë i Fatmir Xhafajt

Shqipëria

SPAK vijon me arrestime zyrtarësh të lartë për korrupsion, vjen mesazhi i fortë i Fatmir Xhafajt

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 18:58
Fatmir Xhafaj

Kanë kaluar 5 vite nga momenti kur Parlamenti miratoi me unanimitet ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi. Por, pavarësisht kritikave që kanë shoqëruar reformën në këtë periudhë, politikani që udhëhoqi procesin në emër të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj beson se ajo ka qenë një sukses.

“Reforma është një sukses jo vetëm nga pikëpamja e efektit që ka dhënë ajo brenda sistemit të drejtësisë, por edhe nga efekti i drejtpërdrejtë që ka dhënë në shoqëri. Sot flasim për një realitet ndryshe nga 5 vjet më parë.”

Për të mbështetur këtë argument, Xhafaj sjell në vëmendje që për 25 vite me radhë në Shqipëri është folur për gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, për kontroll politik mbi vendimmarrjen e sistemit të drejtësisë, për pafuqi të sistemit për të ndëshkuar fenomene si korrupsioni.

"Sot flasim për gjyqtarë e prokurorë të ndëshkuar nga vetë mekanizmat e sistemit, sot flasim për integritetin në system, sot kemi një realitet krejt te ri të karrierës, të promovimit të gjyqtarëve në sistem jashtë çdo ndikimi politik. Sot po flasim për goditje të pandëshkueshmërisë.”

 Ish-kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Xhafaj pranon se sot ka mungesë gjyqtarësh e prokurorësh, të cilët janë larguar për shkak te Vetting-ut, por, sipas tij, ata magjistratë që sot janë pjesë e sistemit janë me integritet dhe profesionistë. Xhafaj sqaron se reforma nuk është ideale, pasi asnjë ligj nuk është i përsosur.

 “Për më tepër, kjo reformë e zbatuar në kushtet e vendit tonë në një mjedis shumë acid, në një mjedis shumë antagonist politik dhe shoqëror dhe për më tepër në një luftë të vazhdueshme përmes përpjekjes për ta bërë drejtësinë dhe përpjekjes për ta penguar, për ta deformuar dhe për ta kontrolluar. Dhe të mos harrojmë: nuk është çështje muresh reforma në drejtësi, nuk është çështje numrash reforma në drejtësi, është çështje koncepti, është çështje mentaliteti, është çështje qasje”, tha ai për Vizion Plus.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat