Polici përplasi për vdekje të riun në Tiranë, ja si tentoi të prishte provat në vendin e aksidentit

Shqipëria

Polici përplasi për vdekje të riun në Tiranë, ja si tentoi të prishte provat në vendin e aksidentit

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 16:22
Foto ilustrim

Dy punonjës Policie janë përfshirë në dy aksidente të ndryshme rrugore, njëri me pasoja fatale. Rasti i parë u regjistrua në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në zonën e Kamzës në Tiranë.

Efektivi i Policisë, Roxhels Milkurti, me detyrë inspektor në Komisariatin nr.4 në kryeqytet, aksidentoi për vdekje një të ri 26-vjeçar, i cili në momentin e ngjarjes tragjike udhëtonte me një motor tip “Suzuki”.

AKSIDENTI

Pas përplasjes fatale që u regjistrua rreth orës 00:15 minuta, efektivi që udhëtonte me shpejtësi të lartë bashkë me vëllanë e tij, ka tentuar të prishë provat në vendin e aksidentit. Përplasja ka qenë kaq e fortë sa drejtuesi i mjetit të vogël, motorit, ka humbur jetën brenda pak momentesh. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet i riu i shtrirë në mes së rrugës. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi policin 25-vjeçar së bashku me vëllain e tij tre vite më të vogël. “Drejtoria Rajonale e SHÇBA Tiranë arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë, inspektor R.M., 25 vjeç, punonjës Policie pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, dhe vëllain e tij, shtetasin M.M., 22 vjeç. Arrestimi u krye pasi duke qarkulluar me mjetin tip ‘Benz’ në rrugën ‘Teuta’, në drejtim të rrethrrotullimit të Frutikulturës, Kamzë, rreth orës 00:15 aksidentoi mjetin motoçikletë tip ‘Suzuki’, me drejtues një 26-vjeçar, i cili ka humbur jetën menjëherë si pasojë e përplasjes”, sqaron SHÇBA. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat i ka referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Tiranës, duke e akuzuar efektivin për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Pengimi për zbulimin e së vërtetës”

EFEKTIVI PËRPLAS ÇIKLISTIN

Ndërkohë, në orët e pasdites së djeshme, një tjetër efektiv Policie shkaktoi një aksident rrugor po në Tiranë, duke plagosur një 55-vjeçar. “Në rrugën ‘Myslym Keta’ mjeti me drejtues shtetasin P. N. (punonjës Policie), pjesë e grupit të kontrollit të territorit, është përplasur me një biçiklist me iniciale A. G., rreth 55 vjeç, i cili po dërgohet në spital, për të marrë ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, sqaroi Policia e Tiranës.

Por më vonë, Policia e kryeqytetit dha një tjetër version për ngjarjen. “Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e pamjeve filmike rezulton se mjeti i ndaluar me drejtues Xh. K., 36 vjeç, duke hapur derën e mjetit të tij ka goditur me derë biçiklistin shtetasin A. G., rreth 55 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Sqarojmë se mjeti i policisë nuk ka patur kontakt me të aksidentuarin. Drejtuesi i mjetit shtetasi Xh. K., është shoqëruar në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme hetimore. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pamjet filmike që tregojnë dinamikën e aksidentit”, thuhet në reagim. Grupi hetimor punon për sqarimin e plotë e rrethanave të aksidentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat