Incidenti me gazetarin/ PD: Dhuna policore reflekton sjelljen e kryeministrit.

Shqipëria

Incidenti me gazetarin/ PD: Dhuna policore reflekton sjelljen e kryeministrit.

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 20:35
Albana Vokshi

Partia Demokratike ka reaguar pas incidentit me gazetarin e News24. Deputetja e zgjedhur e PD Albana Vokshi tha në një deklaratë nga selia e PD se pamjet që shpërndau News24 janë tronditëse për gjendjen e mjeruar të lirisë së medias më Shqipëri, por edhe të luftës kundër krimit të organizuar, që mban në këmbë qeverinë e Edi Ramës.

Sipas saj, sjellja brutale e policisë ndaj gazetarëve buron nga sjellja e ngjashme e kryeministrit me mediat.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ALBANA VOKSHI

Shumë shqiptarë kanë ndjekur sot me shqetësim pamjet e rënda të dështimit të policisë për kapjen e një trafikanti droge dhe dhunimin e gazetarit që po raportonte për këtë ngjarje në Tiranë.

Gazetari i Televizionit News 24, Ergys Gjençaj, u përball sot padrejtësisht me brutalitetin shtetëror, ndërsa ishte më krye të detyrës, i identifikuar si gazetar.

Pamjet që shpërndau News24 janë tronditëse për gjendjen e mjeruar të lirisë së medias më Shqipëri, por edhe të luftës kundër krimit të organizuar, që mban në këmbë qeverinë e Edi Ramës.

Mund ta ndjekim bashkë videon.
Një trafikant i dyshuar droge sfidon një grup me policë në mes të ditës. Ai i ikën policisë, siç duket qartë nga pamjet e News24. Dhe ky është nga ato rastet, kur deshtimin e vet policia e mbulon me dhunë ndaj gazetsrëve.

Ergys Gjonçaj po raportonte, po kryente detyrën, po filmonte edhe me celular, ndërsa policët sillen si bandat. I marrin celularin me te cilin po filmon dhe po raporton, e teajtojnë dhunshëm, pa treguar respekt për informimin e publikut. Pra, kemi një në gazetar të shtrirë përtokë nga policia, si të ishte më vendet më regjim zyrtar autokratik, jo në një vend që synon të anëtarësohet në NATO.

Kjo pamje është pasqyra e vërtetë e qeverisjes 8-vjeçare të Edi Ramës. Lë kriminelët të largohen dhe dhunojnë gazetarët, që janë në vijën e parë për të raportuar dhe, në shumë raste, për të ndihmuar Policinë e Shtetit.

Partia Demokratike e dënon këtë sjellje brutale të përsëritur të forcave të policisë me gazetarët. As Ergys Gjençaj dhe asnjë gazetar nuk duhet të preket me dorë nga shteti, nga pushteti, nga politikanët! Megjithë problemet e mëdha të medias, gazetarët duhet të jenë të paprekshëm në kryerjen e detyrës!

Asnjë justifikim i policisë nuk e përligj dot dhunën e ushtruar ndaj gazetarit të News24, ndërsa ishte në krye të detyrës. Për shumë qytetarë është e qartë se sjellja brutale e policisë ndaj gazetarëve buron nga sjellja e ngjashme e kryeministrit me mediat.

Është ai që sulmon i pari, që i intimidon dhe i shantazhon gazetarët. Veprimet e tjera të policëve të papërgjegjshëm apo arrogantë janë pasojë e gjuhës dhe veprimeve të dhunshme të kryeministrit.

Gjuha denigruese ndaj gazetarëve u theksua si një shqetësim kryesor i raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Raporti që konfirmoi masakrën zgjedhore të 25 prillit me blerjen e votës dhe përdorimin e shtetit, vë në dukje se gazetarët janë censuruar dhe janë gjendur përballë presionit dhe korrupsionit.

Dhuna ndaj gazetarëve, njësoj si blerja e votës, nuk ka lidhje me demokracinë dhe shtetin ligjor! Partia Demokratike do të jetë gjithmonë në krah të gazetarëve, sepse ne vlerësojmë se zëri i tyre duhet të shkojë sa më i vërtetë tek qytetarët!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat