​Boiken Abazi e quan Ramën kolaboracionist: Po e vendos Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë

Shqipëria

​Boiken Abazi e quan Ramën kolaboracionist: Po e vendos Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 12:14
​Boiken Abazi

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje për Shqipëri, Biken Abazi, ka hedhur kritika të ashpra ndaj takimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama me liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në Forumin për Bashkëpunim Rajonal.

Këtë takim Abazi e ka ndërlidhur me atë të Londrës të mbajtur 108 vite më parë.

Abazi madje kryeministrin Rama e ka quajtur kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë.

“Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Abazit.

Ky është reagimi i plotë:.

108 vite nga Konferenca e Londrës te marrëveshjet e "Jugosllavisë së Re".

Në Konferencën e Londrës, më 29 korrik 1913, ambasadorët morën një vendim formal për t'i njohur Shqipërisë së pavarur vetëm gjysmën e territorit të saj, duke lënë jashtë kufijve mbi 40% të popullit shqiptar, nën trysninë e Serbisë dhe Greqisë. Vendimet e asaj konference krijuan një padrejtësi historike që populli shqiptar e vuan sot e kësaj dite.

Sot, 108 vite më vonë, më 29 korrik 2021, pa presionin e ambasadorëve, KM Edi Rama po nënshkruan kokë më vete nën trysninë dhe joshjen nga Serbia, bashkë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe KM e RMV Zoran Zaev, marrëveshje ekonomiko tregtare që e vendosin Shqipërinë nën vasalitetin e Serbisë, duke formalizuar vendimet e "Zonës së Novi Sadit" (Mini-Shengenit që po i ndryshojnë emrin, por jo përmbajtjen).

Nënshkrimet e Edi Ramës sot do të mbeten gjithashtu në histori. Ato janë nënshkrime të një kryeministri kolaboracionist me planet ekspansioniste të Serbisë. Me këto marrëveshje Rama e vendos ekonomikisht Shqipërinë nën dominimin ekonomik të Serbisë, duke e varfëruar më tej vendin. Me këto marrëveshje Rama tenton të sabotojë përpjekjen për ta vendosur Serbinë para drejtësisë për krimet dhe gjenocidet që ka kryer ndaj kombit shqiptar, duke i pastruar imazhin ndërkombëtarisht dhe duke ia normalizuar politikat agresive një Serbie që nuk kërkoi kurrë falje. Me këto nënshkrime Edi Rama ka shkelur të drejtat e Kosovës dhe të mbarë kombit.

Nuk e dimë kush ia ka propozuar Ramës datën 29 korrik për këto marrëveshje, por datë më domethënëse nuk mund të gjente!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat