Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve nga Nishi, Medvegja, Presheva dhe Bujanovci

Shqipëria

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve nga Nishi, Medvegja, Presheva dhe Bujanovci

Nga: bota sot Më: 30 korrik 2021 Në ora: 10:57
Pamje nga ceremonia

Fjala e Presidentit SH. T. Z. Ilir META, në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve nga Nishi, Medvegja, Presheva dhe Bujanovci (29 korrik 2021)

Të nderuar miq dhe të ftuar! Të nderuara familje Gashi, Kelmendi, Krasniqi, Qazimi dhe Halili! Të dashur pjesëmarrës! Zonja dhe zotërinj! Mirë se keni ardhur në Institucionin e Presidentit të Republikës ku kemi të pranishëm miq tepër të nderuar, për një ceremoni tepër domethënëse dhe gjithashtu të veçantë!

Jemi mbledhur për të vlerësuar dhe nderuar personalitete të shquara të trungut tonë kombëtar, nga Leskovci i Sanxhakut të Nishit, Medvegja, Bujanovci dhe Presheva. Këto personalitete kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë, kulturën, shkencën dhe trashëgiminë e kombit tonë. Akademikë me vlera të njohura edhe në botë, shkencëtarë, mësues, luftëtarë për çështjen kombëtare dhe gazetarë të shquar.

Të gjitha këto personalitete, të lindur në një zonë të trojeve tona shqiptare që kanë vuajtur shumë, por edhe që kanë dhënë edhe më tepër në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.

Profesor Ahmet Gashi, një luftëtar i orëve të para për liri, dije, arsimim dhe emancipim të kombit tonë. Si student i histori-gjeografisë në Stamboll, ai pati si prijës dhe bashkëveprimtar të çështjes kombëtare Vëllezërit Frashëri, Pashko Vasën, Hasan Tahsimin, Ibrahim Temon dhe shumë patriotë të tjerë të asaj periudhe. Prandaj, jo rastësisht Profesor Ahmet Gashi u gjend si veprimtar tepër i rëndësishëm mes shumë atdhetarëve të tjerë shqiptarë në Kongresin e Manastirit.

Ai dha një kontribut të veçantë gjatë kryengritjes antiosmane të vitit 1911 në Kosovë, kur me nismë vetjake, negocioi dhe mundësoi qëndrimin pasiv të mijëra ushtarëve turq në kazermat e Prishtinës, me çka shmangu gjakderdhjen e shqiptarëve dhe lehtësoi çlirimin e qytetit. Në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, Profesor Ahmet Gashi ishte këshilltar dhe sekretar personal i Isa Boletinit. Në vitin 1913 fillon punë në ‘Normalen e Elbasanit’ dhe u bë një nga korifenjtë e arsimit në shkollën shqipe të kohës. Duke qenë për një kohë mbi 20-vjeçare si mësues, nëndrejtor dhe drejtor i ‘Normales së Elbasanit’.

Profesor Gashi ishte bashkëthemelues dhe drejtues i të parit Kongres Arsimor të Lushnjës, të mbajtur në gusht 1920, duke bashkëpunuar ngushtë me personalitete të kohës si: Sotir Peçi, Aleksandër Xhuvani, Ilo Dilo Sheperi, etj. Për një kohë gati dhjetëvjeçare ishte mësues dhe drejtues i Institutit ‘Nëna Mbretëreshë’ në Tiranë dhe gjatë kësaj kohe, u angazhua shumë për botimin e ‘Revistës Pedagogjike’. Por, puna e tij kolosale kishte të bënte me botimet e teksteve shkollore të historisë së Shqipërisë të të gjitha epokave, si dhe të teksteve shkollore të gjeografisë së përgjithshme, fizike dhe ekonomike të Shqipërisë dhe mbarë trojeve shqiptare, për të gjitha shkollat e mesme.

Puna e Profesor Ahmet Gashit u kurorëzua me përgatitjen dhe botimin e Hartës: ‘Shqipnija e vërtetë’, siç e quante vetë Prof. Ahmet Gashi me thënien e tij të famshme: ‘Aty ku ujit i thuhet ‘ujë’ dhe bukës i thuhet ‘bukë’, aty është Shqypnia’. Jo pa arsye, Profesor Ahmet Gashi ishte që në atë kohë anëtar i shoqërisë më të rëndësishme në botë të gjeografëve me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Shoqërisë Shkencore ‘National Geographic’. Profesor Gashi dha një kontribut të madh në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, duke drejtuar edhe institucione të tjera arsimore si Gjimnazi ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë.

Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, Profesor Ahmet Gashi u kthye në Tiranë pranë familjes dhe punës së lënë për gjysmë. Pasi dy djemtë e mëdhenj të tij, Luani dhe Fatoni, luftuan me armë në dorë kundër pushtetit jugosllav në Kosovë, si dhe veprimtarisë së tyre intelektuale dhe lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Luani si intelektual i njohur dhe drejtues i Komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ dhe Fatoni si mjek dhe gazetar në ‘Zërin e Amerikës’, për këto arsye pushteti komunist në Shqipëri nuk e shihte me sy të mirë Profesor Ahmet Gashin.

Por, për shkak të reputacionit ndërkombëtar dhe mbarëshqiptar si studiues dhe intelektual i madh, pushteti komunist i kohës u kujdes që mos ta keqtrajtonte publikisht Profesor Ahmet Gashin, ndonëse tekstet e tij autoriale u hoqën nga qarkullimi dhe u zëvendësuan me ato sovjetike. Fatin e tij, pushteti ia la në dorë harresës së imponuar dhe kohës biologjike, por statusi intelektual i tij mbeti i paprekur dhe u respektua nga brezat e shqiptarëve. Pavarësisht moshës së thyer, Profesor Ahmet Gashi nuk i ndërpreu hulumtimet dhe studimet në fushat e preferuara të shkencës, deri sa ndërroi jetë në shtator të vitit 1977, pranë familjes, në Tiranë. Vepra dhe jeta e Profesor Ahmet Gashit, pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe Pavarësisë së Kosovës, është vlerësuar me vendosjen e emrit të tij rrugëve dhe shkollave në Tiranë dhe në Prishtinë, por sot, edhe zyrtarisht, si President i Shqipërisë, kam nderin që këtë rilindas, ndër më të fundit, ta vlerësoj me Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’. Profesor Ibrahim Kelmendi, emrin e të cilit me shumë krenari e mban ‘Gjimnazi i Preshevës’, ishte bashkëveprimtar i Profesor Ahmet Gashit në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë.

Në fundvitin 1944, u kthye në Preshevë për të organizuar dhe udhëhequr popullatën shqiptare të Kosovës lindore, në ruajtjen e trojeve etnike nga masakrat që po bënin sllavo-komunistët dhe fashistët bullgarë. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, u detyrua që të ikte nga Presheva për të ngrysur jetën në Melburn të Australisë në vitin 1979. Profesor Kelmendi ishte njëri nga intelektualët dhe shkencëtarët e parë të Kosovës, i cili punoi me studimet shkencore nga fusha e historisë kombëtare, që nga periudha e parahistorisë dhe deri në kohët bashkëkohore. Polemizues i rrallë për kohën dhe tepër dinjitoz, me autorët serbë të historisë për çështjen e Kosovës, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe të drejtat e cenuara të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Me krenari të ligjshme mund të themi se, Ibrahim Kelmendi si historian, mësues, luftëtar me armë në dorë dhe patriot, i bëri vend vetes në historinë e kombit tonë dhe me të drejtë sot e vlerësojmë me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’. Bafti Krasniqi, mësuesi nga Medvegja, i cili u rrit dhe u edukua nën frymën e Profesor Ahmet Gashit dhe Ibrahim Kelmendit, dha një kontribut të veçantë në mbrojtje të gjuhës shqipe, ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në Medvegjë.

Përveç këtij kontributi të veçantë në arsimimin e brezave të shumtë të të rinjve të Medvegjës, një meritë të vyer, zoti Krasniqi e ka në shkurtimin e mbiemrave dhe kthimin e tyre në gjuhën shqipe, pasi shumicës së shqiptarëve të Medvegjës, pushteti jugosllav iu kishte shtuar në mbiemra prapashtesën ‘Viç’, për ta bërë më të lehtë asimilimin e shqiptarëve në boshnjakë dhe kombësi të tjera jo shqiptare. Për të gjithë kontributin e tij arsimor dhe patriotik, mësuesin medvegjas Bafti Krasniqi, sot e nderojmë me Titullin e lartë ‘Naim Frashëri’. Ridvan Qazimi – Komandant Lleshi, i brumosur me atdhedashuri nga familja dhe rrethi ku u rrit në Ternovcë të Bujanovcit, me fillimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu bashkëngjit asaj duke marrë pjesë në beteja të shumta për lirinë e Kosovës.

Me mbarimin e luftës në Kosovë, forca të shumta ushtarake serbe të mllefosura nga humbja e luftës, u stacionuan në Luginën e Preshevës dhe në shenjë hakmarrje, ushtruan dhunë të paparë në Karadakun e Preshevës, dëbuan popullatën shqiptare nga Malësia e Bujanovcit, kurse Medvegjën e zbrazën pothuajse në tërësi. Për të mbrojtur popullsinë e pafajshme në këto zona, ndër të parët doli në ballë Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi. Ai, së bashku me 29 dëshmorë të tjerë të kombit, dhanë jetën e tyre në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe me sakrificën e tyre më sublime, arritën që ta ngrenë deri në kancelaritë euro-amerikane dhe në selinë e NATO-s problemin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Për të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij deri në flijim, sot Komandant Lleshin e nderojmë me vlerësimin e lartë ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’.

Një personalitet tjetër i veçantë, të cilin e nderojmë dhe vlerësojmë sot është gazetari dhe intelektuali i mirënjohur Llukman Halili. Llukman Halili ishte nga gazetarët e parë nga Kosova, i cili erdhi në Shqipëri në hapat e parë të ndryshimeve demokratike në vend. Ai ishte një pasqyrues i denjë i të gjithë asaj që po ndodhte në Shqipëri, duke shkruar dhe raportuar jo vetëm në shtypin e Kosovës, por kryesisht në atë kroat dhe në atë ndërkombëtar.

Të gjithë Lëvizjen Studentore në Dhjetor-Shkurt 1990-1991 dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri, Llukman Halili i ka pasqyruar në librin e tij, që është nga pikat kryesore të referencës për studiuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të asaj periudhe kohore që ka kaluar Shqipëria. Si vrojtues i vëmendshëm i ngjarjeve dhe ndryshimeve të mëdha në Poloni, mik me Leh Valesën, drejtuesin e Lëvizjes Punëtore Polake ‘Solidarnosht’, si dhe si gazetari i parë profesionist në Radio-Televizionin e Prishtinës, i cili u mor me analizat e situatës ndërkombëtare dhe lëvizjet antikomuniste që po ndodhnin në Europën Lindore, Llukman Halili u bë pikë reference e të rinjve, të cilët me endje prisnin të dëgjoni analizat e tij për situatën politike ndërkombëtare.

Për të gjithë veprimtarinë e gjerë gazetareske, publicistike, atdhetare dhe humanitare, gjatë jetës së tij, duke punuar kryesisht jashtë trungut të atdheut, por gjithmonë për atdheun, si dhe për frymëzimin e brezave të rinj të gazetarëve se si duhet të punohet me profesionalizëm dhe përkushtim për të vërtetën dhe të mirën e kombit dhe të njerëzimit në përgjithësi, sot Llukman Halilin e vlerësojmë me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’.

Të dashur vëllezër dhe motra! Këto vlerësime që po bëjmë për personalitete të shquara të atyre trojeve martire, nuk janë të parat, dhe as nuk do të jenë të fundit. Është në nderin tonë që të kujtojmë dhe vlerësojmë të gjitha ato personalitete, të cilat bënë të mundur që kombi ynë të mbijetojë, dhe sot të ndihet akoma edhe më krenar kudo që jeton.

Zoti e bekoftë kombin tonë!

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që jetojnë, në trojet e tyre dhe në mbarë botën!

Ju faleminderit!

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat