Apel: Të vaksinohen studentët para fillimit të vitit të ri akademik

Shqipëria

Apel: Të vaksinohen studentët para fillimit të vitit të ri akademik

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 11:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbi 50 mijë vaksina Pfizer do të vijnë sot dhe menjëherë do të shpërndahen në qendrat shëndetësore dhe në pikat e vaksinimit, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në qytetin e Sarandës ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit në qendrën e re shëndetësore në Sarandë.

Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë, duke apeluar edhe studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik.

"Ne jemi të angazhuar që të vijojmë gjatë muajit gusht me vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç, duke ndalur fokusin tek të gjithë ata të cilët janë më të rrezikuar +50 vjeç, por gjithashtu duke synuar edhe studentët, ata të cilët duhet të jenë në auditore në vitin e ri, të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit Delta dhe gjithashtu për të ulur dhe për të reduktuar rastet e rënda dhe fatalitetet", nënvizoi Manastirliu.

Në vendin tonë deri tani kanë kryer 1,203,087 vaksinime antivCOVID. Mbi 530.000 qytetarë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t'ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID19 të gjithë qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat