Ndërtimi i Aeroportit të Sarandës llogaritet të kushtojë 34.2 milionë euro

Shqipëria

Ndërtimi i Aeroportit të Sarandës llogaritet të kushtojë 34.2 milionë euro

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 16:08
Ilustrim

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë publikoi në faqen e saj zyrtare dokumentet e procedurës konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat për
projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të
Sarandës (SIA).

Sipas dokumentit të publikuar, përzgjedhja e ofertuesit fitues do të bëhet në bazë të një procedure konkurruese të hapur. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare/ PPP është 35 vite nga hyrja në fuqi e saj.

Vlera e parashikuar e projektit llogaritet 34.3 milionë euro.

Kompanitë ofertuese duhet të plotësojnë kriterin e përvojës në projekte ndërtimi ose rinovimi të paktën të një aeroporti ku rinovimi konsiston në terminalin e pasagjerëve; pista dhe vendqëndrimi (kategoria 3C ose me art), gjatë 10 viteve të fundit, me kapacitet 1 milion pasagjerë ose më shumë.

Dokumentet e prokurimit përcaktojnë se koncesionari do të zhvillojë dhe azhurnojë vazhdimisht (çdo 5 vjet) master planin e Aeroportit Ndërkombëtar të Sarandës, duke përfshirë parashikimet për fluksin e pasagjerëve, sigurinë, investimet e reja etj.

Në 3 fazat e operimit të aeroportit me koncesion në 5 vitet e parë të operimit parashikohet që terminali i pasagjerëve të akomodojë jo më pak se 130 mijë pasagjerë/vit ose 300 pasagjerëve në orë. Në fazën e dytë pas 5 vitesh operim parashikohet që fluksi i pasagjerëve të jetë 300 mijë pasagjerë/vit. Faza e tretë që përkon pas 10 vitesh aktivitet fluksi i pasagjerëve pritet të jetë 700 mijë në vit.

Terminali do të projektohet dhe mirëmbahet me qëllim të zgjerimit të kapacitetit të aeroportit në 2 milionë pasagjerë në vit. Sipërfaqja totale e terminalit të ri, në fazën e parë do të jetë se paku 5 mijë metra katrorë.

Vënia në punë e Aeroportit të Sarandës është një nga angazhimet kryesore të Qeverisë Shqiptare.

Sipas Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016–2020, sfidat kryesore në sektorin ajror për periudhën e planifikimit 2016-2020 lidhen me “krijimin e kushteve të përshtatshme për një treg më konkurrues me shërbime ajrore të liberalizuara që do të sjellin mundësinë e një reduktimi në shpenzimet e udhëtimit për pasagjerët”.

Vijimi me zbatimin e objektivave strategjik, me vënien në punë të Aeroportit të Sarandës, pritshmëria është që ky aeroport të ketë një ndikim të konsiderueshëm ekonomik, social
dhe kulturor, në zhvillimin e kësaj zone, duke bërë të mundur hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin e turizmit, ofrimin e shërbimeve ajrore për transportuesit me kosto të ulët, çka do të sjelli dhe uljen e tarifave të biletave për udhëtime ndërkombëtare për qytetarët.

Aeroporti i Sarandës ndodhet rreth 6 km larg qytetit të Sarandës, pranë rrugës nacionale, 20 m mbi nivelin e detit. Në perimetrin e zonës së projektit të distancuar prej tij ndodhen fshatrat Cukë, Caush, Aliko, Neohor, Dritas, Plaga e Re, Skate. Nga ana perëndimore, zona e projektit kufizohet me kodrat ku shtrihet fshati Lekures me kështjellën e tij dhe përtej kodrave shtrihet qyteti i Sarandës. Lumi Bistrica përshkon zonën e
projektit përgjatë kësaj ane. Në anën jugore kufizohet nga Liqeni i Butrintit.

Përveç infrastrukturës në aeroport, është shumë e rëndësishme që të ketë një lidhje të mirë rrugore midis qytetit, autostradës dhe aeroportit, për të siguruar që udhëtarët do të vijnë në kohë në aeroport nga njëra anë dhe nga ana tjetër, për të rritur zonën e mbulimit të aeroportit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat