Iku nga Vlora dhe la prapa shkrumb e hi

Shqipëria

Iku nga Vlora dhe la prapa shkrumb e hi

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 14:32
Edi Rama

Zona Vlorë-Himarë, që ka “ngrënë” afro 60% të krejt buxhetit të investimeve publike në këto 8 vite; brenda 8 ditësh ka humbur kurorën me pyje e parqe perlë natyrore, duke mbetur peisazh hiri lartë e “fushë” betoni buzë detit.

Nuk e kemi fjalën, për 1800 ha plazhe e gjelbërim, të cilat u zëvendësuan me “plantacione” pallatesh nga oligarkët, politikanët e trafikantët, por për “ballkonin kodrinor natyror” të bregdetit, që u dogj ngaqë qeveria e Ramës… nuk e shpëtoi dot nga zjarri.

Pas një muaji, Rama nuk do jetë më deputet i bregut të Vlorës, sepse ka zgjedhur të jetë deputet i bregdetit të Durrësit e Lalzit, duke ikur pa i dhënë asnjë motiv bindës, banorëve që i dhanë 3 mandate pushtet absolut në krejt zonën Vlorë-Konispol.

Por kryeministri e krye-rilindësi Edi Rama, po ikën si deputet nga Vlora, duke bërë dhe lënë prapa shkrumb e hi, kurorën e gjelbër bregdetare të Vlorës, Dukatit, Dhërmiut e deri në Ksamil.

Nuk themi, se zjarrin e vendosi Rama, por e la Vlorën të digjej, ngaqë nuk mundi ta shpëtonte dot, mbasi i ka katandisur emergjencat civile vetëm me lopata, kazma, kova e çizme.

Nuk mundi ta shpëtonte Vlorën nga zjarri, sepse fondet e shërbimit të emergjencave, ia ka dhënë vetes, ministrave, deputetëve, drejtorëve e kryebashkiakëve, mobilim zyrash, makina e udhëtime luksi nëpër botë dhe dreka mbretërore në Dubai.

-Rama e la të digjej kurorën e gjelbër bregdetare të Vlorës, jo se donte vetë, apo se e sabotoi Niko Peleshi, por sepse vetë kryeministri deputet i Vlorës, i ka “vënë zjarrin” buxhetit të shtetit me PPP e orgji, aq sa nuk ka fuqi të blejë të pakën 1 avion anti-zjarr.

Po ikën nga Vlora si zjarr-lënës, krejt i vetëdijshëm për dëmin e madh që i shkaktoi asaj zone epiqendër e turizmit veror në krejt rajonin

Edhe tre fakte pa koment

– Më 9 shtator 2013, kur pas dekretimit në Presidencë, bashkë me ministrat bëri fotografinë te shkallët e kryeministrisë, Edi Rama tundi në dorë një dosje të kuqe, duke thënë në delir: – “Këtu brenda është programi “rilindës” i ndryshimit historik të Shqipërisë dhe ndryshimi do fillojë nga Vlora ku unë jam deputet”.

– Shqiptarët e besuan Ramën, si “ëngjëllin” e shpresës për drejtësi, barazi sociale e ndryshim, por në 8 vite ka dhënë prova, se votën për të qeverisur e për t’u bërë kryeministër, nuk e ka kërkuar për të nxjerrë vendin nga gropa e varfërisë, krimit e izolimit jashtë BE, por për t’u kapardisur si më i mençmi kombit; dhe për të siguruar pasurinë e 30 brezave për vete e për klanet me të cilit sundon.

– Ditën kur Rama çoi në KQZ, vendimin për të qenë deputet i Durrësit, deklaroi: – Unë nuk jam shkëptur nga Vlora, përkundrazi atje e kam zemrën dhe për të, do bëjë akoma më tepër sa kam bërë këto 8 vite si kryerministër e deputet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat