Mbërrijnë 3 helikopterë nga Holanda e Çekia, ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE për shuarjen e zjarreve

Shqipëria

Mbërrijnë 3 helikopterë nga Holanda e Çekia, ndihmë nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE për shuarjen e zjarreve

Më: 6 gusht 2021 Në ora: 19:25
Foto ilustrim

Kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit 3 helikopterë, nga Holanda dhe Çekia, pjesë e mbështetjes që dy vendet po i japin Shqipërisë, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, për shuarjen e zjarreve në territorin e Shqipërisë.

Mjetet u pritën në aeroportin “Nënë Tereza” nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako, përfaqësues të ambasadave përkatëse, Shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.

Zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici falenderoi në emër të qeverisë shqiptare dy vendet për ndihmën e dhënë në këto ditë të vështira, ndërsa njoftoi se puna e helikopterëve do të nisë nesër në mëngjes herët.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako shprehu mirënjohjen për përgjigjen në kohë të shpejtë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, duke vënë në dukje se situate ka qenë e rënduar veçanërisht në gadishullin e Karaburunit, pikërisht në kufi me Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Shefi politik i delegacionit të BE, Alexis Hupin tha se ndihma që vjen nga Bashkimi Europian është shenjë e solidaritetit evropian. “Kjo është një shprehje e solidaritet të Bashkimit Evropian dhe duam t’i qëndrojmë në krah të Shqipërisë në këto momente. Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare. Nesër fillon puna me helikopterin”, u shpreh z.Hupin.

Nga Çekia mbërriti helikopteri i parë, nga 3 që pritet t’i bashkohen flotës së ndihmës për shuarjen e flakëve. Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile, të cilët do t’i bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë. Bashkimi Evropian aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’u ardhur në ndihmë disa prej shteteve më të prekura nga zjarret si: Shqipëria, Italia, Greqia e Maqedonia e Veriut.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat