Ndotja nga mbetjet në Shijak, kryebashkiaku ia faturon prefektit të Durrësit

Shqipëria

Ndotja nga mbetjet në Shijak, kryebashkiaku ia faturon prefektit të Durrësit

Më: 23 gusht 2021 Në ora: 14:35
Elton Arbana

Prej datës 18 gusht, banorët e Shijakut jetojnë mes mbeturinave, erës së ndotur dhe “helmit” që çliron djegia e mbetjeve.

Kjo është dita e gjashtë që shëndeti i banorëve është vënë seriozisht në rrëzik, ndërsa mbeturinat tashme shtrihen edhe përgjatë trotuareve.

I gjithë ky ngërç me pasoja katastrofike për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve ka ardhur për shkak të papërgjegjëshmërisë së organeve vendore në këtë qytet.

Në një intervistë për Top News, kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ia faturoi sot fajin prefektit të Durrësit, për zvarritjen e procedurave për finalizimin e një marrëveshjeje për depozitimin e këtyre mbeturinave në landfillin e Sharrës.

Sipas tij, dokumenti për lidhjen e marrëveshjes me landfillin e Sharrës i është çuar për miratim prefektit që prej ditës së mërkurë, por ky i fundit nuk e ka firmosur ende.

"Bashkia e Shijakut i ka bërë të gjitha veprimet proceduriale, të martën kemi përfunduar. Kemi bërë zbardhjen e vendimit ditën e mërkurë dhe ditën e enjte ia kemi çuar edhe prefektit për miratim. Dhe nga dita e enjte, deri më sot, zbardhja e vendimit është në tavolinën e prefektit. Sapo ta firmosë prefekti edhe ne do të bëjmë nënshkrimin e akt marrëveshjes me landfillin, i cili ka kosto më të lirë sesa landfillet e tjera”, deklaroi Arbana.

Bashkia e Shijakut i depozitonte mbetjet falas në landfillin e Sharrës prej një viti, kohë e mjaftueshme për të finalizuar një marrëveshje. Por edhe pse nga ana e landfillit kanë qenë të gatshëm për lidhjen e aktmarrëveshjes, bashkia nuk ka firmosur.

Gjithsesi, Arbana thotë se makthi i qytetarëve të Shijakut mund të marrë fund dy ditët në vijim.

“Nga data 18 deri në ditën e sotme, mbetjet që gjeneron bashkia e Shijakut nuk janë transportuar në landfillin e Sharrës për shkak të një marrëveshje të munguar nga palët. Deri me datë 18 të gjitha mbetjet që gjeneronte bashkia e Shijakut shkonin në Landifillin e Sharrës falas. Duam ta falenderojmë landfillin, i cili na ka bërë të mundur këtë. Tani jemi në anën proceduriale në lidhjen e një marrëveshjeje. Sigurisht, janë disa afate kohore që duhen respektuar. Sot, maksimumi nesër,  ne do ta kemi këtë marrëveshje të lidhur.

Mbase u bë me dije nga landifilli i Sharrës që nuk do të na lejonin më të transportonim mbetje falas në atë landfill, ne morëm të gjitha masat dhe i kërkuam landfillit që të na jepte 10 ditë kohë me qëllim që të finalizonim marrëveshjen.

Bashkia e Shijakut i ka bërë të gjitha veprimet proceduriale, të martën kemi përfunduar. Kemi bërë zbardhjen e vendimit ditën e mërkurë dhe ditën e enjte ia kemi çuar edhe prefektit për miratim. Dhe nga dita e enjte, deri më sot, zbardhja e vendimit është në tavolinën e prefektit. Sapo ta firmosë prefekti edhe ne do të bëjmë nënshkrimin e akt marrëveshjes me landfillin, i cili ka kosto më të lirë sesa landfillet e tjera”, deklaroi Arbana.

Një ditë më parë, Landfilli i Sharrës sqarote se prej një viti Bashkia e Shijakut ka kërkuar marrëveshje për mbetjet dhe po në këtë periudhë kohore i ka depozituar falas në këtë landfill.

Kërkesën për marrëveshje bashkia e Shijakut e ka përsëritur edhe në maj të këtij viti, pra katër muaj më parë, por dhe pasi landfilli e ka pranuar me kushtet e vendosura nga bashkia, kjo e fundit sërish nuk e ka firmosur.

Landfilli thotë se nuk mund të pranojë më mbetje pa tarifë dhe pa marrëveshje, megjithëse deri më tani i ka mbuluar vetë kostot financiare të trajtimit të mbetjeve për Bashkinë e Shijakut.

Arbana pranoi se situata katastrofike e mbeturinave në Shijak është shoqëruar edhe me djegien e tyre, por sipas tij ky veprim nuk është bërë nga ana e bashkisë.

"Policia e shtetit dhe policia bashkiake po hetojnë rreth kësaj. Nuk është e vërtetë që mbetjet po digjen nga bashkia sepse ne kemi një operator ekonomik, i cili bën  pastrimin e qytetit dhe nuk merremi ne me pastrimin e qytetit, është operatori", tha Arbana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat