Gulaku komunist i Savrës shndërrohet në geto për romët e varfër

Shqipëria

Gulaku komunist i Savrës shndërrohet në geto për romët e varfër

Më: 26 gusht 2021 Në ora: 06:15
Foto

Në vitin e largët 1963, Iljaz Vehapi ishte vetëm një prej qindra armiqve që regjimi komunist i kishte internuar në kampin e ngritur në Savër, rreth 3 kilometra larg qytetit të Lushnjes.

52 vjet më vonë, ai është i internuari i fundit i mbetur në fshatin ku fqinjët e tij të rinj nuk kanë shumë ndryshim nga bashkëvuajtësit e dikurshëm.

“Edhe atëherë ishim njësoj. Ata që na spiunonin dhe ata që jetonin me ne. Ç’të thuash për atë kohë. Të harruara qofshin,” thotë Iljazi për BIRN.

I moshuari i mpakur në një grusht kockash, por me duar të bëshme nga punët e rënda të së shkuarës u internua nga Leskoviku në Savër së bashku me gruan dhe të birin e mitur. Ai u rendit mes armiqve të regjimit të Enver Hoxhës, pasi një i afërm i tij u arratis nga vendi në fillim të viteve ’60.

Iljazi jetoi tre dekada në njërin prej 48 gulakëve të ngritur nga regjimi komunist në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore.

Regjimi i egër stalinist, i instaluar në Shqipëri pas vitit 1945 nga Enver Hoxha burgosi 17 900 persona dhe internoi mbi 30 mijë të tjerë si të dënuar politikë, sipas të dhënave nga arkivat e Ministrisë së Brendshme. Shqipëria e vogël prej 3 milionë banorësh kishte 23 burgje dhe 48 kampe internimi për të ashtuquajturit “armiq të klasës”.

Kampi i internimit në Savër ishte ndër më të famshmit e kohës, për shkak se aty u vendosën të afërmit e pesë kryeministrave të para luftës dhe familjarë të diktatorit Enver Hoxha.

Image
Barrakat e internimit, Savër. Foto: Lindita Çela/BIRN

 

Iljazi kujton se fshati ishte i ndarë në dy pjesë; në pallatet dykatëshe në të djathtë jetonin vendasit, ndërsa barakat e krahut të majtë ishin të mbushura me të internuarit e regjimit.

I moshuari është fjalëpak, por raportet e Ministrisë së Brendshme të kohës flasin për kushte çnjerëzore dhe shfrytëzim të egër të njerëzve në kampet e internimit.

Një raport i Ministrisë së Brendshme për kampin e Savrës, i përfshirë në studimin “Sistemi i ndëshkimeve në Shqipëri gjatë regjimit komunist” të autorit Femi Sufaj tregon se të internuarit flinin si sardele në barakat e kampit dhe shfrytëzoheshin nga regjimi i kohës për të tharë kënetat në fushën e Myzeqesë.

“Këpucët, ushqimet dhe rrobat mbahen të varuara mbi krevate. Në të njëjtin vend flenë, hanë, gatuajnë pa higjienë. Uji i pishëm mungon, ka ngjyrë të kuqe dhe është i ngrohtë,” thuhet në raport.

Në të njëjtat baraka të ish-kampit të internimit, banorët e sotëm të Savrës, shumica të komunitetit rom po përpiqen të ndërtojnë një të ardhme të ndryshme nga ajo e kohës së komunizmit.

Bukuroshe Halili, nënë e pesë djemve jeton prej vitesh në një barakë të ndërtuar me baltë dhe kallama, e mbuluar nga copëza të ndara teneqeje. Ajo mbërriti në Savër në mars të vitit ’90 dhe fillimisht e ndante barakën me tre motra të internuara, për të cilat thotë se ishin të afërmve të diktatorit Enver Hoxha.

“Ishin kushërira të tij,  por askush nuk fliste për këtë fakt. Ikën në vitin 1990 dhe nuk e kthyen më kokën pas,” thotë ajo.

Image
Shtëpia e Bukuroshe Halilit. Foto: Lindita Çela/BIRN

 

Ndryshe nga Bukuroshja, e cila u vendos në Savër me urdhër të ish-Komitetit ekzekutiv të kohës, Zana Mitrishi është transferuar aty me vullnetin e saj në vitin 1992.

“Kishim dëgjuar se ferma ishte një vend i mirë për të jetuar,” thotë ajo.

Barakën me dy divanë, një tavolinë dhe lavanin e sajuar me hekurishte e ka blerë për 15 mijë lekë dhe gjatë dy dekadave që ka jetuar aty, asgjë nuk ka ndryshuar.

Image
Shtëpia e Zana Mitrushit në Savër. Foto: LIndita Çela/BIRN

 

“Im shoq është elektricist, por kush ka nevojë për të? S’kemi asnjë përkrahje e jetojmë në këtë barrakë si në komunizëm,” thotë Zana.

Ish- kampi i internimit mbetet sërish i veçuar nga dy lagjet e tjera të Savrës. Rrugët janë të pashtruara, dritat ikin me orë të tëra dhe uji mungon vazhdimisht. Një tjetër barakë e ndërtuar për ish-të internuarit është përshtatur së fundmi si qendër shëndetësore.

“Asnjë nuk ka ndryshuar në Savër,” thotë Vasil Bello. “Të gjithë në një vend e merrnin bukën, me racion ne, me racion ata. Ndryshimi i vetëm ishte e drejta e lëvizjes. Por unë kam vite që nuk shkoj as në Lushnje”.

Vasil Bello jeton në anën e djathtë të pallateve dhe rrallëherë i bie rruga nga zona e barakave. Ai flet gjatë për të internuarit që vuajtën në Savër dhe i quan ata “njerëz të mirë e të zotë”.

“Ata thanë kënetat dhe bënë punët më të rënda,” shton ai.

Tokat e hapura nga shfrytëzimi i krahut të punës së të internuarve janë lënë sot djerrë. Të rinjtë kanë emigruar, ndërsa të vjetrit e kalojnë kohën duke luajtur domino. Dy mijë banorët e sotëm të Savrës jetojnë më së shumti me paratë e njerëzve në emigracion.

Por Bukuroshe Çako nuk e ka këtë mundësi. E internuar në Roskovec të Fierit gjatë diktaturës, ajo u zhvendos në Savër pas viteve ’90, ku jeton sërish me dramën e varfërisë.

“Ky është një internim i dytë për mua, njësoj i egër,” thotë me trishtim Bukuroshja. “Të mjerit nuk i hyn në punë liria”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat