Rama kritikon BE: Nuk ka pse të bllokohet Shqipëria, Brukseli të mbajë fjalën

Shqipëria

Rama kritikon BE: Nuk ka pse të bllokohet Shqipëria, Brukseli të mbajë fjalën

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 08:44
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ka hedhur kritika ndaj BE lidhur me anëtarësimin e vendit drejt BE. Në një intervistë të dhënë për median e njohur italiane “ANSA”, kryeministri iu është përgjigjur disa pyetjeje në lidhje me vonesat e vazhdueshme në hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut, si edhe për pasojat e mundshme në Ballkan dhe BE në rast ngurrimi të mëtejshëm.

Ai tha, se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, por vijon të mbetet e bllokuar për shkak të vetos që Bullgaria i ka vendosur Maqedonisë së Veriut. Rama theksoi, se pavarësisht kësaj, vendi duhet që të ecë përpara pa hequr dorë, deri sa të arrihet anëtarësimi. “Unë nuk jam optimist apo pesimist, thjesht realist. E di, të gjithë e dinë se kjo nuk varet nga ne, por nga Bashkimi Europian. Kështu, në mënyrë krejt të pashpjegueshme, Shqipërisë i duhet të presë edhe që Bullgaria të heqë veton kundër Shkupit si edhe të zgjidhet konflikti mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në çdo rast, unë mendoj se kjo përpjekje na ndihmon të kuptojmë se duhet të ecim përpara sa më shumë që të jetë e mundur, pa e mashtruar veten dhe pa hequr dorë kurrë nga ndjekja e ëndrrës së shumë brezave, ajo për të qenë pjesë përbërëse e Europës, me çdo kusht”, shtoi Rama.

Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama u shpreh se vendi ynë ka bërë shumë lidhur me anëtarësimin drejt Bashkimit Europian. Sipas tij, është Brukseli ai i cili nga ana tjetër duhet që të mbajë premtimin e dhënë. “Ne kemi bërë, për më shumë se dy vjet tashmë, gjithçka që ka qenë e nevojshme për fillimin formal të negociatave të pranimit. Por, ata ende nuk e kanë mbajtur “premtimin” e tyre për shkak të problemeve të tyre dhe sepse Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut”, tha kryeministri Rama.

Ardhja e shtetasve afganë

Kryeministri Edi Rama, foli edhe sa i përket ardhjes së shtetasve afganë në vendin tonë. Rama u shpreh, se historia u ka mësuar shqiptarëve se ka një kohë për të dhënë dhe një kohë për të marrë duke kujtuar strehimin e hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi, se edhe shqiptarët kanë qenë në këtë situatë në të cilën ndodhen sot afganët duke përmendur largimet masive drejt Italisë vite më parë. “Shqipëria ishte i vetmi vend i Europës ku kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria priti gjysmë milioni refugjatë lufte që iknin nga spastrimi etnik i Kosovës. Shqiptarët ishin afganët e 30 viteve më parë përballë brigjeve të Italisë. Ne ishim të strehuar dhe të ndihmuar atëherë dhe sot falë Italisë dhe të tjerëve që e bënë atë për ne jeta jonë ka ndryshuar përgjithmonë. Nuk mund të ndodhë që ne, aleanca më e fortë ushtarake në tokë, të bëhemi një i pafuqishëm, i pashpresë, krijesë e pakuptimtë jo vetëm në sytë e popullit afgan, por në sytë e botës, të miliona qenieve njerëzore që dëshirojnë lirinë, luftojnë për drejtësi, ëndërrojnë shoqëritë demokratike në shtëpi”, deklaroi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat