33-vjeçari tregon rrugëtimin Kabul-Tiranë: Si iu kthye në kërcënim puna në kompaninë që bashkëpunonte me ushtrinë amerikane!

Shqipëria

33-vjeçari tregon rrugëtimin Kabul-Tiranë: Si iu kthye në kërcënim puna në kompaninë që bashkëpunonte me ushtrinë amerikane!

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 00:54
Foto ilustrim

Abdul Wasey 33 vjeç dhe bashkëshortja e tij Sana 26 vjeç janë larguar tashmë nga Afganistani dhe janë akomoduar në Shqipëri. Në një intervistë ne emisionin “Opinion”, ata shprehen se kanë ende familjarët e tyre atje, ndërsa shpresojnë që të ndërtojnë jetën në Angli, SHBA, ose Kanada.

“Unë jam Abdul Wasey. Jam 33 vjec, dhe kam ardhur nga Kabuli. Atje drejtoja një studio animacioni. Isha një prej themeluesve dhe drejtori artistik.”

Abdul Wasey po shijonte jetën në kryeqytetin afgan si një sipërmarrës i ri dhe i suksesshëm. Dalë ngadalë, ai po ndërtonte të ardhmen së bashku me bashkëshorten, Sana, deri në momentin që siguria për jetën e tij nuk ishte më e garantuar.

“Në vitin 2013 punoja në një kompani që bashkëpunonte me ushtrinë amerikane. Kjo u kthye në një kërcënim të madh për mua. Çdo kush që kishte punuar me të huajt, vecanërisht me ushtrinë amerikane, ishin në rrezik për tu persekutuar nga talebanët.”

Jeta e Abdul ndryshoi drastikisht pas 14 gushtit. Për t’i mbijetuar realitetit të ri ai u detyrua të marrë masa që nuk i kishte menduar ndonjëherë më parë.

“Për rreth 1 javë qëndrova i fshehur. Disa ditë isha me gjyshen time, më pas shkova te disa familjarë që banonin pranë aeroportit”, tregon ai.

Ndërsa shqetësohej për sigurinë e bashkëshortes dhe të tijën, një fije shprese u ndez.

“Morëm një telefonatë gjatë kohës që ishim fshehur. Na thanë se një autobus po na priste në një karburant dhe duhet të shkonim menjëherë. Nuk kishim aspak kohë për t’u bërë gati. Morëm disa rroba dhe shkuam te autobusi, për të cilin na thanë që kishte leje të lëvizte brenda aeroportit. Kur shkuam atje pamë se ishin 6 autobusa të tjerë në rradhë. Kemi pritur 27 orë. Shkuam te një nga terminalet e aeroportit por nuk na lanë të futeshim. Talebanët e kishin marrë nën kontroll. Pritëm aty 11-12 orë, deri sa erdhi mesnata. Talebanët erdhën, filluan të shtijnë me armë dhe na thanë të gjithëve të largoheshim. Shkuam në një vend tjetër. Një grup njerëzish që po koordinonte orperacionin folën me disa persona nga terminali që ishte ende nën kontrollin e amerikanëve. Kur mbërritëm atje pritëm mbi 10 orë të tjera deri sa morëm leje për të hyrë në avion”, shprehet ai.

Buzeqeshja i kthehet kur kujton se sa e bukur ishte jeta e tij përpara se talebanët të merrnin në dorë pushtetin. Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë, Abdulit i duket një realitet shumë i largët.

“Kisha hapur studion time të animacionit dhe dizajnit së bashku me disa të tjerë. Filluam biznesin në fund të 2018. Për shkak të pandemisë patëm disa ditë të vështira, por në fillim të 2021 na erdhën klientë të mirë, po kapnim projekte të reja. Kjo ishte edhe arsyeja që për një kohë të gjatë nuk e pranoja dot faktin që duhet të largohesha nga vendi im, edhe pse patëm paralajmërime. Na thonin që talebanët do të vijnë, por ne kishim punuar aq fort dhe biznesi po ecte shkëlqyeshëm. Donim që kompania jotë të bëhej e njohur jo vetëm në Afganistan, por në të gjithë rajonin. Më pas 15 gushti erdhi. Cdo gjë u kolapsua dhe u detyrova të pranoj realitetin e ri që kjo ëndërr do mbetej përgjysëm.”

Abdul tregon që kjo ishte një nga momentet më tragjike të jetës së tij. Atij nuk i kishte shkuar kurre mendja që situata do të përshkallëzohej kaq shpejt, dhe se investimi që kishte bërë për biznesin do t’i zhvlerësohej në këtë mënyrë.

“Po, kushërinjtë e mi janë atje, disa xhaxhallarë dhe pothuaj i gjithë rrethi i gjerë familjar. Janë të shokuar. Po përpiqen të pranojnë realitetin. Disa prej tyre kanë bërë valixhet gati. Duan të largohen nga vendi por situata në aeroport është shumë rrëmujë. Nëse vihet rend në aeroport mund të jenë në gjendje të largohen. Ndërsa të tjerët që nuk e kanë këtë mundësi, janë thjesht në pritje që të ndodhë dicka”, shprehet Abdul.

Ditët në Shqipëri, Abdul dhe bashkëshortja e tij Sana i kalojnë duke menduar për të ardhmen. Megjithëse ai nuk ka një vizion të qartë, shpreson të rindërtojë jetën në SHBA, Angli ose Kanada.

“Tani që jemi këtu po mundohemi të rregullojmë dokumentat. Shpresoj që aftësitë që kam t’i vë në përdorim, të gjej treg dhe të vazhdoj atë që kisha nisur më parë. Megjithatë ka shumë paqartësi. Nuk mund ta them çdo të ndodhe”, vijon rrëfimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat