Përjashtimi nga grupi/ Pas seancës Basha e quan armikun e vetëm Ramën, kryeministri deklarohet për vendimin për Berishën

Shqipëria

Përjashtimi nga grupi/ Pas seancës Basha e quan armikun e vetëm Ramën, kryeministri deklarohet për vendimin për Berishën

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 08:00
Foto ilustrim

(E plotësuar 10:50) -  Kryeministri Edi Rama u shfaq krejt ndryshe para mediave, duke folur butë dhe duke premtuar se nuk do i sulmojë.

"U uroj punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut, unë do të angazhohem personalisht që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve që e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime interesa dhe ambicie që mund të jenë dhe të natyrshme.

PS e ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, PS sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimit të saj, duhet të ndjejë në çdo qelizë që të çojë Shqipërinë në nivel tjetër, dhe sa pak e rëndësishme janë këto të tjerat," tha Rama.

Image

Rama ka zgjedhur që të anashkalojë dhe të mos japë përgjigje të drejtpërdrejtë në lidhje me vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.

"Ne vijmë në këtë Kuvend për mandatin e tretë me dorën e shtrirë, pa marrë parasysh sesi do të shkonin zhvillimet në PD, dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të shtetit. PS e ka të vështirë që të shikojë nga lart poshtë, ne jemi lart dhe do të shikojmë përpara dhe kush do që të bashkohet me ne është i mirëpritur”, ka thënë ai.

Basha flet pas seancës: Ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama

Ka vetëm një armik dhe ai është Edi Rama”.

Kështu ka deklaruar Lulzim Basha për median pas mbylljes së seancës.

Ai ka refuzuar që të tregojë nëse ka pasur presione për të përjashtuar nga grupi i PD-së Sali Berishën.

Basha u drejtua sërish për te selia e PD.

***

Njësoj siç bëri në hyrje të seancës parlamentare, ku u prit nga dhjetra mbështetës, edhe në dalje të saj, Sali Berisha mori të gjithë vëmendjen mediatike, teksa është i vetmi që flet për mediat në këtë ditë të parë të punimeve të Kuvendit.

Në dalje të seancës që zgjati fare pak minuta, Berisha tha se nuk e njeh vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi, dhe se ai mund të shkojë kur të dojë në selinë blu. Berisha tha se ai do të nisë nga brenda punën për ringritjen e PD, ndërsa tha se grupi parlamentar nuk u pyet fare për përjashtimin e tij.

Në Kuvend më i vendosur, më i motivuar se kurrë në jetë për të mbrojtur interesin publik të qytetarëve shqiptarë të kombit shqiptar, për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen, trillimin, kurthet pazaret për eleminimin e opozitarëve shqiptarë.

Unë garantoj se ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama Basha, në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet çmontuar një minutë e më parë. PD është parti e lirisë dhe e të drejtave njerëzore, jam i bindur që demokratët shqiptarë do të dinë të vendosin PD në piedestalin që meriton.

Do marr çdo nismë brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton. Unë jashtë çdolloj diskutimi jam anëtar i grupit të PD, vendimi, kompromisi Rama Basha është nul, përveçse flliqësirë kundër opozitës.

Mund të hyj në çdo kohë në seli, është e afërt dita kur PD do të rifitojë të gjithë forcën dhe legjitimitetin për të shporrur klikën dhe pazaret e flliqura me ata që e shndërrojnë PD në fasadë. Grupi as që nuk është pyetur fare”, u shpreh Berisha në dalje të Kuvendit.

***

Ka përfunduar seanca e Kuvendit të Shqipërisë, e njejta pritet të vazhdoj në orën 17:00.

Është mbyllur seanca e parë parlamentare e legjislaturës së 10-të të Kuvendit. Kryesuesja e seancës ka qenë deputetja e PS-së Luljeta Bozo.

Në këtë seancë u përcaktuan sekretarët e përkohshëm të Kuvendit dhe u vendos ngritja e komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandatëve të deputetëve.

Ndërkohë që pritet që deputetët e zgjedhur nga rradhët e mazhorancës dhe opozitës për të qenë pjesë e komisionit të verifikimit të mandatëve, të bëjnë detyrën e tyre dhe më pas do të ketë mbledhje tjetër të parlamentit ku seanca do të mbahet në orën 17:00 të ditës së sotme dhe ku deputetët e zgjedhur do të betohen për të marrë kësoisoj dhe mandatin e tyre.

***

Ish kryetari i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha është pritur si hero në hyrje të parlamentit shqiptar, ndërsa pritej të fillonte seancëa e parë e legjislaturës së re.

Një ditë më parë ai u përjashtua nga grupi parlamentar i PD nga kreu i partisë Lulzim Basha, pasi më parë DASH e kishte shpallur të padëshirueshëm në SHBA.

Berisha tha për mediat se Rama dhe Basha kanë një marrëveshje okulte me njëri-tjetrin dhe se ai tashmë do të punojë për të rikthyer legjitimitetin e PD-së.

"PD do të dalë më e fortë  nga kjo betejë", tha zoti Berisha para përkrahësve të tij dhe shtoi: "PD duhet të vendosi sovranitetin e saj" shtoi ai.

***

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të ri, ku 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit u ulën në vendet përkatëse. Siç e përcakton edhe rregullorja e Kuvendit. Drejtuese e seancës së parë plenare është deputetja më e vjetër në moshë, Luljeta Bozo, nga radhët e PS-së.

Kjo seancë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre.

Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Procedura saktëson se emri i saj do të duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë, ndërkohë që zgjidhja zhvillohet pa debat dhe me votim të fshehtë.

Ndërkohë dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së, deri në zbardhjen e plotë të vendimit të DASH, e ku të sqarohet e gjithë e vërteta.

“Berisha, Berisha”. Pritet me brohorima ish-kryeministri, deklarata: PD do rivendosë sovranitetin, e grabitur poshtërsisht me marrëveshjen Rama-Basha

Ish kryeministri Sali Berisha është pritur me ovacione jashtë parlamentit nga mbështetës të tij.

Simpatizantët e pritën me thirrje “Berisha, Berisha”.

Berisha tha shkurtimisht për mediat: Pazaret të flliqura të Bashës dhe Ramës. PD del nga kjo betejë me e fortë dhe me e sigurt se kurrë ne fitore rroftë PD. Emergjenca është kjo, PD do rivendosë sovranitetin, e grabitur poshtërsisht me marrëveshjen Rama-Basha.

U la jashtë grupit parlamentar, Berisha mbërrin në Parlament: Basha, pazare të fëlliqura me Ramën

Ish-kryeministri Sali Berisha, ashtu siç edhe e bëri të qartë mbrëmjen e së enjtes, ka mbërritur ditën e sotme në Parlament.

Në hyrje të Parlamentit, lideri historik i PD ka përshëndetur edhe një grup mbështetësish që e pritën me brohorima. Ndërsa mbërrinte në Kuvend, Berisha ka folur me tone të ashpra për Lulzim Bashën, duke thënë se ka bërë “pazare të flliquara me kryeministrin Edi Rama".

PD në Kuvend pa Berishën, mbërrijnë Rama dhe Kryemadhi

Kanë mbërritur në Kuvend kryeministri Edi Rama dhe gjithashtu pas një mungese 2 vjeçare rikthet në Kuvend edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Ndërsa kreu i PD Lulzim Basha është parë të hyjë nga një hyrje anësore. Ai e mori në këmbë rrugën nga selia blu deri në Parlament, ndërsa kryeministri Rama u pa të mbërrijë me automjetin e tij.

Përfundon mbledhja e Grupit Parlamentar të PD, Basha niset drejt Parlamentit

Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Tashmë kreu Lulzim Basha dhe deputetët e PD janë nisur nga Selia Blu drejt Parlamentit. Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj raporton se ndërsa dilte nga selia, në oborr Basha është pritur me fyerje dhe sharje nga një grup që thërrisnin “Turp!”.

Gazetari i ABC Juxhin Mustafaraj raporton se ndërsa dilte nga selia, në oborr Basha është pritur me fyerje dhe sharje nga një grup që thërrisnin “Turp!”.

Demokratët nuk mund të futeshin kësaj here nga porta që i lidhte me Kuvendin pasi ajo ishte e mbyllur. Më parë, ata kalonin në oborrin e Kuvendit përmes një dere që i lidhte direkt me selinë e PD-së, të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën. 

Sot fillon legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë

Vullnetin që qytetarët shprehën në 25 prill, politika do ta materializojë ditën e sotme kur nis punën legjislatura e 10 e Kuvendit të Shqipërisë. Katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për rrugëtimin europian të vendit, ku pritshmëritë e larta të qytetarëve duhet të konkretizohen nga deputetët që zgjodhën pesë muaj më parë.

Për herë të parë Kuvendi nuk do të nisë me 140 deputet, por me katër vakanca. Kjo për shkak se katër deputetë të zgjedhur, Lefter Koka, Najada Çomo e Gramoz Ruçi nga PS si edhe Mark Marku nga PD kanë dhënë dorëheqjen nga mandatet pa u betuar ende. Për t’i zëvendësuar duhet që Kuvendi i ri, pas konstituimit, të konstatojë procedurialisht vakancat, në mënyrë që t’i kërkojë KQZ-së zëvendësimin e tyre.

Numërimi i votave të 25 prillit prodhoi në sallën e Kuvendit 2 grupe parlamentare. Socialistët për herë të dytë do të mund të jenë shumicë me 74 vota në parlament kësisoj edhe si grupi më i madh parlamentar.

Situata në kampin opozitar duket më e ndërlikuar. Koalicioni opozitar mori besimin për 59 ulëse në parlament duke formuar edhe grupin e dytë parlamentar.

Brenda ulëseve demokrate janë edhe aleatët e partive të vogla. Konkretisht Shpëtim Idrizi, Mesia Doda dhe Nustret Avdulla janë 3 deputetët e PDIU-së, të ndjekur nga kryetarët e partive të tjera aleate si Agron Duka, Fatmir Mediu, Dashamir Shehu e Vangjel Dule.

Nëse të gjithë bëhen bashkë, arrijnë numrin 7 të që përbën kuotën minimale për formimin e një grupi parlamentar. Por ndasitë ndërmjet Idrizit e Dules duket se ka detyruar aleatët e tjerë t’i kërkojnë deputetë hua Bashës, gjë që ka ndodhur edhe në 2017 kur Fatmir Mediu krijoi grupin e tij parlamentar me deputetë të marrë borxh nga lista e PD-së.

Në parlament arritën të futen edhe dy subjekte të tjera garuese në zgjedhje. LSI-ja e cila garoi për herë të parë nën drejtimin e Kryemadhit mori vetëm 4 mandate duke u tkurrur me 15 të tillë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, numër ky i pamjaftueshëm për të formuar një grup të sajin. Partia tjetër është PSD-ja e Tom Doshit me tre deputetë.

Procedura parlamentare parashikon se seancën e parë e deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit e drejton deputeti më i vjetër në moshë. Për ironi të fatit, në sallën e Kuvendit ka deputet me mbi 25 vite aktivitet parlamentar, por seancën hapëse do ta kryesojë inxhinierja Luljeta Bozo e cila ka mbi supe 78 vite 11 muaj e 8 ditë jetë, ndonëse shkel për herë të parë pragun e parlamentit. Inxhinierja do të drejtojë punimet deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një emër që është bërë publik nga vetë Edi Rama gjatë asamblesë së Partisë Socialiste.

Rregullorja e Kuvendit nënvizon se kryetari i Kuvendit zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat. Socialistët kanë në sallë 74 vota çka e bën drejtimin e Nikollës të padiskutueshëm.

Fillimi i parlamentit të ri do të jetë njësoj si mbyllja e të vjetrit, nën masat anticovid, me gazetarët që do të vazhdojnë të qëndrojnë jashtë sallës plenare. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat