Gjykata lë në burg vrasësin e Sabrina Bengajt, Elton Metaj pendohet dhe qan gjatë seancës

Shqipëria

Gjykata lë në burg vrasësin e Sabrina Bengajt, Elton Metaj pendohet dhe qan gjatë seancës

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 14:49
Elton Metaj

Ky është Elton Metaj, që 4 ditë më parë vrau ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj në fshatin Zhupan të Fierit.

31-vjeçari ka dalë këtë të martë përpara gjykatës për të përballur me akuzën penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura ai është shfaqur i penduar për krimin dhe madje ka qarë gjatë saj.

Avokati i tij tha se Metaj është në gjendje të rënduar psikologjike, por është justifikuar se klienti i tij ndihej i kërcënuar shpesh nga babai i vajzës se do ta vriste. Por gjykata vendosi ta linte 31-vjeçarin në burg pa afat duke pranuar kërkesën  e prokurorisë.

Metaj shkoi i armatosur me një kallashnikov në familjen e ish-bashkëshortes dhe pas një debati verbal ai qëlloi 23-vjeçaren e cila po konsumonte darkën. Arrestimi i tij u bë i mundur pak orë pas vrasjes në një zonë të pyllëzuar në afërsi të fshatit Peshtan.

Familjarët e Sabrina Bengaj thanë një ditë më parë se Metaj ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Ata kërkuan që të vihen përpara drejtësisë edhe prokurorët dhe gjyqtarët që e liruan Metajn pas pengmarrjes që ai i bëri 1 vit më parë familjes së ish-gruas. Çifti ishin prindër të një fëmije të mitur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat