Rama i shtrin sërish dorën Bashës

Shqipëria

Rama i shtrin sërish dorën Bashës

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 10:51
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama prezanton sot programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Në fjalimin e mbajtur në fillim Rama e nisi me përbërjen e lartë të grave në qeverinë e re, si asnjë vend tjetër më parë.

Po ashtu ai vuri theksin tek sjellja e duhur në parlament, për të dhënë shembullin e mirë tek qytetarët shqiptarë.

Edhe një herë kryeministri Rama tha se është gati t’i shtrijë dorën PD-së për çdo mendim, por kurrsesi nuk pranon ultimatume.

“Kjo qeveri e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave. I kemi dhënë grave dhe vajzave vendin e merituar në shoqërinë tonë. Rritja e numrit të grave në këtë Kuvend është bërë falë ligjvënësve këtu. Me këtë kabinet të ri, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të Kombeve të Bashkuara për përbërjen e grave në qeveri.

Duam apo s’duam do rrimë bashkë këtu në një çati për 4 vite, jo vetëm me kë na pëlqen por dhe me atë që nuk na pëlqen. S’jemi të detyruar të merremi vesh për çdo gjë, por mënyra se si shprehet dakordësimi duhet të jetë i kujdesshëm.

Tjetër është të thuash mendimin tënd, dhe tjetër është të përplasësh duart në tavolina. Tjetër është të votosh kundër, e tjetër është të grisësh fletën e votimit e t’i hedhësh në tokë. Kjo sallë s’duhet të zhytet më në llucën e vulgaritetit.

Të gjithë, kush më shumë e kush më pak, nuk kemi shkëlqyer në sytë e shoqërisë shqiptare. Shumë sherr e shamata, shumë kohë e mundësi të humbura për të bërë më shumë për shqiptarët. Pasi lënë nam, si kalamaj që luajnë e ka kush e ka në oborr pasi kanë lënë orët e mësimit. Dora jonë është e shtrirë për PD, s’duam asnjë lëshim nga ju, por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që doni, për çdo gjë që dëshironi.

Jemi të hapur të dialogojmë, por me ne nuk do arrini gjë me urdhra e ultimatume, por duke folur me njëri-tjetrin me argumenta e ide, ne mund të flasim për çdo gjë.

Asnjëherë nuk do të pranojmë ndërmjetësues të huaj për të zgjidhur krizat e brendshme. Ato shkaktohen alla-shqiptarçe, dhe do zgjidhen po nga ne, duke folur vetëm shqip me njëri-tjetrin,” tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat