Pas SHBA, BE kërkon futjen në listë të zezë së kokave të korrupsionit në Shqipëri, mesazh përvëlues për Metën, Berishën, Ramën dhe...

Shqipëria

Pas SHBA, BE kërkon futjen në listë të zezë së kokave të korrupsionit në Shqipëri, mesazh përvëlues për Metën, Berishën, Ramën dhe...

Më: 16 shtator 2021 Në ora: 16:20
Flamuri amerikan

Bashkimi Evropian nuk do të qëndrojë indiferent ndaj betejës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbysur kokat e korrupsionit, krimit dhe pastrimit të parave në krye të politikës shqiptare.

Në Parlamentin Evropian kanë nisur diskutimet mbi qëndrimin që duhet të mbajë Brukseli ndaj politikanëve të Tiranës, të cilët skedohen dhe shpallen në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor.

Duke mos pasur një qëndrim të unifikuar nga SHBA-BE, kokat e korrupsionit sajojnë lloj-lloj alibish me komplote, lobime dhe Soros, për të mjegulluar goditjen nga SHBA.

Nëse goditja me sanksione do të ishte e dyfishtë, si nga SHBA, ashtu edhe nga BE, politikanët e korruptuar nuk do të kishin asnjë rrugëdalje dhe izolimi do të ishte fatal për ta.

Në këto kushte, Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian ka marrë në shqyrtim një raport të përgatitur nga eurodeputeti Lucas Mandl, për bashkëpunimin kundër korrupsionit dhe krimit në  në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë raport, propozohet që edhe Bashkimi Evropian, ashtu si SHBA, duhet të operojë me praktikën e shpalljes ‘non grata’ të politikanëve dhe biznesmenëve të korruptuar. Propozimi mbështetet nga eurodeputetë të ndryshëm që përfaqësojnë grupe të mëdha politike, si grupin e të djathtëve dhe të gjelbërve.

Në propozim thuhet se“Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten një shqetësim serioz në Ballkanin Perëndimor”.

PE thekson si shembull, që në Shqipëri, korrupsioni është burimi i dytë më i madh i të ardhurave financiare të paligjshme (IFF), pas trafikut të narkotikëve.

Banka Botërore vlerëson se 36.1 për qind e kompanive në Shqipëri gjatë 2019-s u përballën me të paktën një kërkesë për ryshfet. (PE) mirëpret qasjen e rinovuar të angazhimit të SHBA në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përqendrimin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Vlerëson në këtë kontekst urdhrin ekzekutiv të SHBA për të sanksionuar personat që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, si edhe aksionet që shënjestrojnë individë dhe ente për akte domethënëse korruptive në Bullgari dhe ish-Kryeministri Berisha në Shqipëri. Bën thirrje që BE të ketë një qasje plotësisht të ngjashme me këtë (praktikën e SHBA)”.

Propozimi është një zhvillim po aq i rëndësishëm sa urdhri i disa javëve më parë i presidentit të SHBA, Joe Biden, i cili i shpalli luftë korrupsionit në Shqipëri. Një zhvillim kaq i rëndësishëm dhe historik për shqiptarët, për t’u çliruar nga zgjedha e plaçkitësve, është mjegulluar në Tiranë nga kokat e korrupsionit dhe krimit, të cilët kontrollojnë edhe një pjesë të burimeve të informimit publik.

Lajmi është sfumuar dhe nuk ka marrë rëndësinë e duhur, pasi një propozim i tillë është një mesazh përvëlues për Sali Berishën, Ilir Metën, Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe lukuninë e ministrave, drejtorëve dhe kryebashkiakëve të tij të korruptuar. Nëse Brukseli do t’i bashkohet SHBA me sanksione ndaj të korruptuarve, duke i shpallur ‘non grata’, fundi i bandave të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri do të ishte i shpejtë, fatal dhe i turpshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat