Përjashtimi i Berishës, Lubonja: Lëvizja e ish-kryeministrit dobëson PD, nga kjo përfiton vetëm Rama, ja arsyet

Shqipëria

Përjashtimi i Berishës, Lubonja: Lëvizja e ish-kryeministrit dobëson PD, nga kjo përfiton vetëm Rama, ja arsyet

Më: 17 shtator 2021 Në ora: 18:06
Fatos Lubonja

I ftuar në rubrikën “Opinion”, analisti Fatos Lubonja, komentoi vendimin e kryedemokratit Lulzim Basha, për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar.

Sipas tij, kjo lëvizje do e dobësojë Partinë Demokratike dhe do të forcojë më tej, pushtetin e Edi Ramës.

“Nuk kam parë politikan shqiptar që të vendosë interesin e Shqipërisë mbi atë personal, kjo nuk diskutohet, ky është problemi. E dyta edhe sa i përket sinqeritetit, çdo politikan shqiptar, duhet t’ia kthesh ato që thotë së prapthi për të gjetur ndryshimin. Kritika ime kryesore qëndron në faktin se unë duke parë metodën si u hoq Berisha shoh dy probleme të mëdha, 1 që ka të bëjë me raportin e amerikanëve me Edi Ramën dhe qeverinë, ku çdokush mund të ndihet i rrezikuar që një intrigë që mund të bëj një lider i pushtetshëm, që ka arritur të krijoj ca lidhje me disa lobingje amerikane, mundet të të rrëzojë si rivalin e vet me ndihmën amerikane. E dyta mënyra se si e hoqi Lulzim Basha nuk është mënyra që do të doja unë dhe nuk është mënyra për t’u forcuar opozita, përkundrazi, unë shoh një opozitë që dobësohet. Padyshim Berisha është përgjegjës për shumëçka që po ndodh në Shqipëri që fillojnë qysh herët, është krijuar një sistem për të cilin kanë kontribuar dhe kanë vendosur nga një ingranazh dhe tani, në vend që kjo parti dhe këta njerëz, të paktën duke u nisur nga preteksti amerikan, për korrupsionin si rrezik për vendin, duhet të ishte bërë analizë për të gjithë këtë korrupsion”, tha Lubonja.

Analisti e sheh aksionin politik të Sali Berishës me skepticizëm, pasi është i mendimit se një Berishë 3, nuk do ndërtojë një PD konkurruese.

“Ne shqiptarët e kemi marrë se me amerikanët nuk do të luftohet. Këtu s’bëhet fjalë për luftë ushtarake, apo politika amerikane në një kuptim më të gjerë sepse ne jemi pjesë e NATO-s, e Evropës, s’ka lëvizur kurrë asgjë në këtë drejtim. Në këtë aspekt, këtu bëhet më shumë fjalë për intriga politike, që lidhen sa me interesat që Edi Rama i ka zgjidhur këtyre, sigurisht edhe me të kaluarën. Berisha padyshim ka të gjithë mëkatet e veta, lëvizja e tij dobëson PD dhe nga kjo fërkon duart Edi Rama. Unë luftën e Berishës e shoh me skepticizëm sepse ai në këtë rast ka të drejtë për metodat që thash, por nuk shoh mundësinë që një Berishë 3 të ndërtojë një PD siç do të doja unë ta ndërtonte. Këtu është problemi më i madh. Unë tani i shoh më të dobët, sepse në vend që të merren me mazhorancën do të merren me njëri-tjetrin. Berisha del dhe bën deklarata që stonojnë. Ai thotë për të gjitha përjashtimet që janë bërë ia vendos fajin Bashës, Do të ketë një përçarje, nuk kanë vizion, ata merren me Ramën me njëri-tjetrin dhe jo me korrupsionin. Ndodhemi në pikën më të dobët politike, ndërsa Rama në pikën më të fortë të pushtetit të tij, një pushtet që abuzon. Kemi një dështim të Evropës, Amerikës dhe këtu kanë ardhur talebanët. Talebanët janë i gjithë krimi i organizuar që po pastron paratë dhe ka kapur shtetin”, përfundoi Lubonja.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat