Vëzhgimi i Luan Ramës: Përdorimi i emërtimit “ministër”, diskriminim gjuhësor për zonjat e qeverisë

Shqipëria

Vëzhgimi i Luan Ramës: Përdorimi i emërtimit “ministër”, diskriminim gjuhësor për zonjat e qeverisë

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 15:24
Luan Rama

Ish-zëvendëskryetari i LSI-së Luan Rama flet për një mashkullorizim gjuhësor të zonjave ministre të qeverisë “Rama 3”.

Përmes një komenti në rrjetet sociale Luan Rama shprehet “nuk ka logjikë emërtimi ministër, që është emër i gjinisë mashkullore, edhe për rastet kur në atë detyrë emërohet një grua, që afërmendsh, nuk është e gjinisë mashkullore”.

“Përse në aktet zyrtare të institucioneve shtetërore shqiptare në rastin e emërimit të një gruaje, përdoret emri i gjinisë mashkullore ministër dhe jo trajta femërore ministre?”, pyet Luan Rama, duke shtuar se: “Argument gjuhësor nuk ka, arsye logjike jo e jo”.

KOMENTI I PLOTË

Vëzhgim:

MASHKULLORIZIMI GJUHËSOR

I ZONJAVE MINISTRE TË QEVERISË

SË ZOTIT EDI RAMA

Në të kundërt me rregullsitë logjike të drejtshkrimit dhe të drejtshqiptimit të gjuhës shqipe, sa herë që ka emërime apo çemërime në përbërjen e Këshillit të Ministrave, na vjen e shfaqet paradoksalisht në formën e një lajthitjeje logjike, por edhe në trajtën e një diskriminimi gjuhësor, përdorimi i emrit ministër/ministri në vend të ministre/ministrja.

Nuk e di se në çfarë aktesh apo mbi ç’logjikë është mbështetur kjo praktikë. Ndaj për korrektesë u përpoqa të gjej ndonjë referencë, ndonjë vendim zyrtar apo administrativ që e bën të detyruar përdorimin e formës ministër kur emërohet një grua, edhe pse duhet të përdoret forma ministre, përveç argumentave shkencorë, edhe për analogji më zgjidhjen që i ka bërë këtij problemi vetë përdoruesi i gjuhës, pra populli në ligjërimin e vet të përditshëm. Por në burimet zyrtare nuk gjendet asnjë referencë.

Gjithësesi, sido që të jetë arsyetuar dhe kudo që të jetë marrë si model ky i përdorimit të emrit ministër edhe kur ministre emërohet një grua, është në kundërshti me parimet dhe normën gjuhësore të shqipes, është në kundërshti edhe me traditën apo praktikën tonë gjuhësore. Por është po aq edhe në kundërshti me barazinë gjinore.

Sepse nuk ka logjik

emërtimi ministër, që është emër i gjinisë mashkullore, edhe për rastet kur në atë detyrë emërohet një grua, që afërmendsh, nuk është e gjinisë mashkullore.

Në të gjithë fjalorët e gjuhës shqipe përmbri emrit ministër si emër i gjinisë mashkullore, gjendet edhe trajta femërore ministre/ministrja.

Pra, është parashikuar prej shkencëtarëve të gjuhës edhe rasti kur në detyrën e ministrit emërohet një grua, duke dhënë trajtën ministre/ministrja, ashtu sikundër është zgjidhur edhe prej vetë përdoruesit të gjuhës siç e përmenda më lart.

Atëherë, përse në aktet zyrtare të institucioneve shtetërore shqiptare në rastin e emërimit të një gruaje, përdoret emri i gjinisë mashkullore ministër dhe jo trajta femërore ministre?

Argument gjuhësor nuk ka, arsye logjike jo e jo, tradita gjuhësore nuk na e ofron këtë model, atëherë përse përdoret?

I njëjti arsyetim vlen edhe për rastet president/presidente, kryetar/kryetare, drejtor/drejtore etj.

Me sa duket “gjuha” e urdhëruar ministret i bën ministra, anipse në ligjërimin e përditshëm kur iu drejtohemi, të gjithë themi zonja ministe dhe jo zonja ministër.

Nuk e di nëse ua ka vrarë veshin emërtimi ministër i përdorur përmbri emrit të tyre zonjave ministre të qeverisë së sapo betuar të Kryeministrit Edi Rama, por mashkullorizimi gjuhësor i tyre shkon përkundër paraqitjes si një arritje e madhe e faktit që kemi një qeveri me shumë zonja në përbërjen e saj.

Dhe janë zonja ministre, apo jo?…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat