Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat anti-COVID

Shqipëria

Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ndryshon masat anti-COVID

Më: 22 shtator 2021 Në ora: 15:57
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli

Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi sot se situata e pandemisë në Shqipëri paraqitet momentalisht e qëndryeshme. Për këtë Komiteti vendosi të mos i ndryshojë masat kufizuese.

Kështu mbeten në fuqi masat:

ora policore 23:00/06:00

përdorimi i maskave në mjediset e mbyllura e transport publik

ndalimi i grumbullimeve të njerëzve me mbi 50 persona

vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore

hyrjet e të huajve në Shqipëri vetëm përmes certifikatës së vaksinës, testit negativ, ose provës se është kaluar infeksion COVID-19 gjatë 6 muajve të fundit

ata që nuk kanë asnjë nga këto dokumente duhet të vihen në karantinë për 10 ditë

Gjatë konferencës për shtyp drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se aktualisht 33% e popullsisë është vaksinuar me dy injeksione për COVID-19.

Shqipëria ka administruar 1,651,288 vaksina, prej të cilave ka mundur të vaksinojë me dy doza 732,197 persona.

Mjeku Dhimitër Kraja pranoi se ka pasur raste të vdekjeve ndër personat e vaksinuar me dy doza, por ai theksoi se ato mbeten shumë të rralla. Kraja tha se nga të dhënat e spitaleve publike, kanë rezultuar në fatalitete vetëm 0.0006% e të vaksinuarve.

Ai tha se rastet e këtyre vdekjeve janë shënuar kryesisht te personat me sëmundje të tjera, që kanë pasur si faktorë ndikues edhe moshën.

Ditën e martë Akademia e Shkencave rekomandoi që autoritetet të shtojnë me së paku 500 mijë persona të tjerë numrin e të vaksinuarve në mënyrë që të arrihet imuniteti i tufës. Pjesë e rekomandimit ishte edhe vaksinimi i fëmijëve.

Por zëvendësministrja Mira Rakacolli theksoi se vendimi për vaksinat jepet nga Komiteti i Vaksinave që është një Komitet permanent pranë ministrisë së Shëndetësisë.

“Vaksinimi i fëmijëve po bëhet në disa vende të botës, por jo në të gjitha, pasi si gjitha, pasi siç ka argumente për ta bërë, ka edhe argumente për të mos e bërë, janë vendime të kujdesshme që duhen marrë nga ekspertët e kësaj fushe,” – tha Rakacolli.

“Studimi bazohej në gjetjen e antitrupave, dhe ky konkluzion nuk ka dalë nga ky studim, është vetëm rekomandim,” – vijoi zëvendësministrja për rekomandimin e Akademisë së Shkencave për të vaksinuar edhe fëmijët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat