Të shtëna me armë zjarri, plagoset me armë zjarri një 47-vjeçar

Shqipëria

Të shtëna me armë zjarri, plagoset me armë zjarri një 47-vjeçar

Më: 27 shtator 2021 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Një tjetër plagosje është shënuar ditën e djeshme në vend, ku këtë herë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një 47-vjeçari. Ngjarja ka ndodhur në Theth dhe sipas të dhënave të policisë, shtetasi G.N. ka mbetur i plagosur në këmbë.

Dyshimet janë së ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti mes 47-vjeçarit dhe një bashkëfshatari të tij. I plagosuri punon murator dhe dyshimet janë se shkak ka qenë një konflikt mbi disa punime që i plagosuri duhet të bënte te banesa e autorit. Palët nuk janë marrë vesh duke sjellë konflikt mes tyre, i cili ka degraduar deri në përdorimin e armëve. Policia është vënë në ndjekje të autorit.

“Autori më kërkoi të bëja një punë. I thashë se nuk kam mundësi. E njoh autorin, është vendali. Më plagosi me automatik. Ai ishte me makinë. Më gjuajti një herë”, ka deklaruar i plagosuri. Dy ditë më parë në Vlorë mbeti e plagosur një vajzë e re, ku u qëllua me plumb në këmbë nga një i ri shkodran. Dyshohet se shkak ka qenë një konflikt mes tyre, pasi ishin në një lidhje dashurore.

Arrestime në Shkodër

Teksa policia është vënë në ndjekje të autorit të plagosjes në Theth, dje ka rënë në pranga një i ri shkodran, i cili u kap me lëndë narkotike. Policia njofton se falë bashkëpunimit me qytetarët është arrestuar një 33-vjeçar që posedonte armë zjarri dhe lëndë narkotike. Pas arrestimit iu sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa. “Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, falë edhe bashkëpunimit me qytetarët, Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikeve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe "Shqiponjat" në DVP Shkodër, bazuar dhe në informacionet e marra se një shtetas posedonte armë zjarri dhe sende të kundërligjshme me vete, menjëherë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit për të cilin disponohej informacioni. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa”, tha policia.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 33 vjeç, banues në Ganjollë, Shkodër dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje“ dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë në Lezhë janë vënë në pranga 3 persona, të cilët po ashtu janë kapur me lëndë narkotike. “Shërbimet Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në disa automjete dhe persona, në Shëngjin, Lezhë, ku si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: E.F., 22 vjeç, banues në Maqedoni, S.K., 39 vjeç, banues në Tiranë dhe A.K.,25 banues në Kosovë. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit: B.A., 30 vjeç, banues në Australi, A.A., 22 vjeç dhe M.M., 26 vjeç, banues Shkup, Maqedoni.

Këtyre shtetasve, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike të llojit kokainë, ekstazi dhe canabis sativa”, tha policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat