Miratohet fondi shtesë 800 milionë lekë për qiranë e familjeve të prekura nga tërmeti

Shqipëria

Miratohet fondi shtesë 800 milionë lekë për qiranë e familjeve të prekura nga tërmeti

Më: 6 tetor 2021 Në ora: 23:40
Foto ilustrim

Qeveria ditën e sotme  ka miratuar fondin shtesë në buxhetin e shtetit prej 800 milionë lekësh, për subvencionimin e pagesave të qirasë për familjet që kanë mbetur të pastreha si pasojë e e tërmetit të 26 Nëntorit, 2019.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

Vendimi:

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, PËR SUBVENCIONIMIN E PAGESAVE TË QIRASË PËR FAMILJET E MBETURA TË PASTREHA, SI PASOJË E FATKEQËSIVE NATYRORE, TËRMETIT TË DATËS 26.11.2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936/2016, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.37, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në aktin normativ nr.8, datë 7.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përdorimin e procedurës së përshpejtuar për subvencionimin e pagesës së qirasë së banesës për familjet e mbetura të pastreha, si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në buxhetin e vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, në programin e strehimit, shtohet fondi prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, përkatësisht, në produktin për pagesat e subvencionimit të qirasë për familjet e mbetura të pastreha si pasojë e fatkeqësive natyrore, tërmetit të datës 26.11.2019.

2. Efekti financiar, prej 800 000 000 (tetëqind milionë) lekësh, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat