Kush është Gledis Nano?

Shqipëria

Kush është Gledis Nano?

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 23:42
Gledis Nano

Gledis Nano merr zyrtarisht detyrën si kreu i Policisë së Shtetit. Detyra i është dorëzuar këtë të enjte nga Ministri i Brendshëm ndërsa në ceremoninë zyrtare mori pjesë edhe paraardhësi i tij Ardi Veliu.

40-vjeçari Gledi Nano përcolli dhe mesazhin e parë publik për uniformat blu.

Por kush është Gledis Nano dhe cila është karriera e tij në radhët e uniformave blu?

Gledis Nano vjen nga një karrierë gati 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit ka shërbyer në krye të Antiterrorit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”.

Një operacion ky mjaft i vështirë e ku pas kthimit nga Siria Gledis Nano u shfaq përballë medias mjaft i emocionuar.

Operacionet që Gledis Nano ka udhëhequr kanë qenë të vështira e që kanë rezultuar të suksesshëm siç janë zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, ndërsa në vitit 2013, ai u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.

Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.

Ndërkohë Nano e ka nisur karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, për tu emëruar më tej në Tiranë.

Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat