Paralajmërimi i Berishës: Do të ketë protesta të fuqishme

Shqipëria

Paralajmërimi i Berishës: Do të ketë protesta të fuqishme

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 20:01
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha, në takimin e radhës me demokratët e Elbasanit paralajmëroi protesta masive, deri në rrëzimin qeverisë.

Berisha tha gjatë fjalës së tij, se demokratët dhe shqiptarët do të protestojnë për rritjen e çmimeve dhe pagat e ulëta.

“Prandaj ne duhet të përgatitemi për protestat më të fuqishme që ka njohur vendi. Protestë, protestë dhe vetëm protestë.

Edi Rama, ta dish mirë se kur të ngrihemi në këmbë në protestë, nga rruga nuk shqitemi pa të hedhur ty aty ku e meriton.

Mos luaj me çmimet, mos luaj me kafshatën, se shqiptarët paguajnë kafshatën 80 herë më shtrenjtë se qytetarët e vendeve të BE. Sepse ata e paguajnë naftën njësoj si qytetarët e Zvicrës, që kanë një rrogë mesatare prej 6 mijë eurosh kundrejt 400 eurove që marrin qytetarët shqiptarë.

Ne do ngrihemi në këmbë, si opozitë e vërtetë, si opozitë që beson te liria.
Ndaj ftoj demokratët të përgatitemi për një betejë deri në fitoren e plotë”,
tha Berisha.

Ndër të tjera, ish-kryedemokrati i kërkoi falje demokratëve që ka mbështetur Lulzim Bashën. Ai tha se nëse këtë aksion politik që po ndërmerr tani, do e zhvillonte në vitin 2017, PD në zgjedhjet që sapo lamë pas do të ishte në krye.

“Në këto tetë vite kam mbështetur një njeri, që nuk po e marr në rrafshin njerëzor, se po ta marrësh në rrafshin njerëzor, si ai thuhet se as nuk duhet të vijë, besëprerë.

E marr në një qëndrim jashtëzakonisht të paimagjinueshëm ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri.

Çfarë kemi sjellë në Shqipëri? Votën e vërtetë, votën e lirë. Se votë kishte, por ishte e kapur. Sollëm edhe liritë e të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar.

Po nuk ishte pak se po të shkosh në vitin 1990, ku ishte çështja kombëtare dhe ku jemi sot, ne duhet të jemi të lumtur. Por partia filloi të bjerë shumë në këto dy shtylla kryesore të saj.
Unë e kam mbështetur në mënyrë absolute duke i thënë atij privatisht gjithçka dhe i kam të dokumentuara se nuk jam njeri spontan.

Por publikisht e kam mbështetur fuqimisht me shpresën se do ecim drejt fitores. Por ai kishte axhendë tjetër, që të lartësonte veten. Por nuk mund të lartësohesh me atë që bëri në vitin 2017, kur doli në pusi dhe vrau bashkëpunëtorët e tij.

Gabimi im i madh është se në vitin 2017 nuk e ndërmora aksionin që mora tani, dhe ju siguroj se do ishim në pushtet tani. Do kishim hapur negociatat.
Ju garantoj se do bëj gjithçka që të rikthej vlerat”,
përfundoi Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat