“Ndihma 200 mln rëndon OSHEE”/ Ekspertët: Duhej të ishte krijuar bursa e energjisë elektrike

Shqipëria

“Ndihma 200 mln rëndon OSHEE”/ Ekspertët: Duhej të ishte krijuar bursa e energjisë elektrike

Më: 10 tetor 2021 Në ora: 19:41
Foto ilustrim

Këshilli i Ministrave ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme energjetike. Për të përballuar këtë emergjencë kryeministri Rama shpalli një plan me tre pika, që do t’i kushtojë buxhetit 200 milionë euro.

Në këtë plan garantohen çmime të pandryshuara energjie për familjarët dhe biznesin e vogël si dhe furnizim i pandërprerë me energji elektrike në vend.

Për ekspertin Lorenc Gordani kjo kosto në buxhet është një kambanë alarmi për një reformë të thellë në sektorin e energjisë. Shqipëria nuk duhet të sigurojë më energji në mënyrë të paplanifikuar, por me kontrata afatgjata:

Lorenc Gordani: “Tregu energjetik nuk funksionon me prokurime publike as me ankande. Në të gjithë Evropën funksionon me bursa energjetike. Nëse ne do të kishim një bursë qoftë kombëtare apo rajonale do të kishim maksimizuar fitimet nga shitja e energjisë, ndërsa në këtë skemë ku jemi, do mbetemi pafundësisht të detyruar të përballojmë luhatjet e tregut.”

Për shkak të emergjencës qeveria gjithashtu i ka kërkuar tre kompanive publike OSHEE, KESH dhe OST të ndalojnë investimet e tyre.

Eksperti Gordani shprehet se kjo mund të sjellë një kosto për qytetarët, në mënyrë indirekte:
Lorenc Gordani: “Nuk do bëhen investimet e rëndësishme në dy drejtime, për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit. Duhet të kuptojmë që OSHEE duhet të bëjë 50 mln euro investime në vit, për të ulur me 1% humbjet në rrjet. Këto investime nuk do të bëhen më dhe humbjet e rrjetit në Shqipëri janë ndër më të lartat në Evropë. Këto humbje të gjitha faturohen tek qytetari nga ana e shpërndarësit.”
Kriza që ka pushtuar globin nuk parashikohet ende sa do të zgjasë, ndërsa çmimet e produkteve energjetike nuk pritet të kthehen më në nivelet që ishin.

TAB
Plani i qeverisë për emergjencën
1. Garantimin e furnizimit pa ndërprerje
2. Mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimit të energjisë
3. Garantimin e mjeteve për blerjen e energjisë.

Fondi: 200 milionë euro

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat