Shqipërisë i kërkohet anulimi i Agjencisë për Media dhe Informim

Shqipëria

Shqipërisë i kërkohet anulimi i Agjencisë për Media dhe Informim

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 14:08
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Aleanca Për Liri të Mediave dhe Përgjigje të Shpejtë i ka kërkuar Partisë Socialiste në Shqipëri që të heqë dorë menjëherë nga planet për themelim të Agjencisë për Media dhe Informim, në mënyrë që të mos ketë kontroll të plotë mbi informacionin publik në këtë shtet.

“Ne po ashtu i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që menjëherë të angazhohet me Qeverinë shqiptare për të diskutuar këto shqetësime, si çështje me prioritet në bisedimet për anëtarësim”, ka thënë aleanca, e cila përbëhet nga gjashtë organizata ndërkombëtare, të cilat merret me liri të mediave dhe të drejta të gazetarëve në botë.

Aleanca Për Liri të Mediave dhe Përgjigje të Shpejtë është krijuar më 2020 dhe financohet nga Komisioni Evropian.

Sipas saj, planet për krijim të Agjencisë për Media dhe Informim në Shqipëri, të shpalosura gjatë sesionit të parë të legjislaturës së re në Parlamentin e Shqipërisë më 18 shtator, mund të centralizojnë kontrollin mbi marrëdhëniet publike të Qeverisë në një entitet të vetëm.

“Sipas vendimit, zëdhënësit e ministrive dhe të departamenteve qeveritare, do të ndalohen që të flasin drejtpërdrejt me mediat dhe informacioni publik apo komentet do të duhet të miratohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, i cili do të emërohet nga kryeministri dhe do ta ketë pozitën e barabartë me atë të një ministri qeveritar”, ka thënë aleanca përmes një deklarate.

Aty është përmendur po ashtu se kushdo që mban pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, do të mund të emërojë apo shkarkojë zëdhënësit në secilën ministri dhe do t’ua miratojë paraqitjet publike apo intervistat.

Organizatat që janë pjesë e aleancës besojnë se ndonëse Qeveria shqiptare, në krye me Edi Ramën, ka thënë se duke financuar këtë Agjenci me buxhet shtetëror, do ta rrisë transparencën, në fakt mund të ndodhë e kundërta.

“Gazetarët në Shqipëri janë duke punuar aktualisht në kushte jashtëzakonisht të vështira për të pasur qasje në informacion nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët përmes grupeve në platformën WhatsApp, në vend që të përdorë kanale zyrtare. Gazetarët që punojnë për media të pavarura diskriminohen vazhdimisht kur kërkojnë informacione nga ministrat. Gazetarëve që shihen si përfaqësues të ‘opozitës’ nuk u mundësohet akreditimi dhe u mohohet bërja e pyetjeve në konferenca për media”.

Kjo Aleancë ka theksuar edhe se kryeministri Rama nuk organizon konferenca për media dhe varet nga stacioni i tij televiziv ERTV për të shpërndarë tone të deklaratave të tij për mediat dhe se “intervistat jepen vetëm për gazetarë të caktuar, duke shërbyer si mburojë për kryeministrin dhe ministritë tjera që të mos përballen me pyetje sfiduese”.

Kryeministri Rama, ka fituar një mandat të tretë të krye të Qeverisë së Shqipërisë dhe kabineti i tij është betuar javë më parë.

Kabineti i mandatit të tretë qeverisës të socialistëve përbëhet nga 15 ministri, nga të cilët katër ministra pa portofol. Dymbëdhjetë ministri do të drejtohen nga gratë dhe tri tjera nga burrat./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat