PD: 12 mln $ më shumë se oferta më e ulët për tunelin e Llogorasë, do kallëzojmë në SPAK Ballukun

Shqipëria

PD: 12 mln $ më shumë se oferta më e ulët për tunelin e Llogorasë, do kallëzojmë në SPAK Ballukun

Më: 12 tetor 2021 Në ora: 16:37
Helidon Bushati

PD në një prononcim për mediat ka akuzuar ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë  për fituesin e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Deputeti Helidon Bushati tha se tenderi i fituar nga një bashkim kompanish turke, e cili ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët. 

Ai shton se qeveria zgjodhi këtë ofertë më të shtrenjtë pikërisht në një kohë kur vetë qeveria flet për krizë, duke theksuar se do të kallëzohet në SPAK ministrja Balluku.

Bushati: Ministria e Infrastrukturës ka shpallur fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, një bashkim kompanish turke, e cili ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët. Pra, në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL” që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare,  që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milion dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve. Pikërisht në një kohë kur qeveria flet për krizë, taksat e shqiptarëve shpërdorohen.

Dhe përpara syve të të gjithë shqiptarëve del qartë se kriza është për qytetarët, ndërsa për qeverinë është sezon pasurimi për të dhe klientët e saj. Dhe nuk janë pak, por 12 milionë dollarë që mund të shkojnë për shtresat në nevojë, jo për orekset e një grushti të vogël njerëzish. Përballë shpalljes si fituese të ofertës më të shtrenjtë dhe abuzimit me taksat e tyre, qytetarët shqiptarë meritojnë transparencë dhe veprim të menjëhershëm të drejtësisë. Partia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin e këtij skandali, por do të dorëzojë kallëzim penal në SPAK për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës, Belinda Balluku. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat