Basha: Rama u tërhoq nga plani për të rikthyer monizmin

Shqipëria

Basha: Rama u tërhoq nga plani për të rikthyer monizmin

Më: 6 maj 2017 Në ora: 10:41
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi si fitoren e parë të “Republikës së Re” vendimin për tërheqjen e kandidatit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e pjesshme vendore në Kavajë, ndërsa shprehu vendosmërinë për të vijuar marshimin paqësisht drejt zgjidhjes përmes qeverisë teknike.

“Rama u tërhoq nga plani për të rikthyer monizmin. U tërhoq nga planet ogurzeza të mafias dhe krimit”, tha Basha, duke folur në çadrën e vendosur prej më shumë se dy muaj para Kryeministrisë.
Sipas kreut të PD-së, ky është kontributi i dytë historik i Kavajës për demokracinë në këto 27 vite.

Kjo lëvizje për sigurimin e votës së lirë, tha Basha, nuk ndalet e as nuk blihet. Ndaj ai ripërsëriti ftesën kryeministrit Rama për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së krizës.

“Rruga e vetme për t’u bërë pjesë e zgjidhjes është ndarja me krimin e drogën, dy faktorët kryesorë për destabilizmin e Shqipërisë për zgjedhje të lira e të ndershme. Rruga e vetme për t’u bashkuar me shumicën e shqiptarëve që duan zgjedhje të lira e të ndershme dhe ndarjen me krimin e drogën është qeveria teknike”, deklaroi Basha.

Sipas Bashës, zgjedhjet e lira e të ndershme do të bëhen vetëm me pjesëmarrjen e opozitës dhe kalojnë nga qeveria teknike dhe garancitë e nevojshme për zgjedhjet e lira.

“Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog. Refuzojmë ultimatumin. Data 18 qershor ka rënë politikisht moralisht dhe ligjërisht”, deklaroi ai më tej.

Basha ftoi mbështetësit e tij në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. “Le të bashkohemi pra me një premtim të madh kombëtar ndaj brezave për Shqipërinë europiane, përmes zgjidhjes së ofruar nga ky bashkim i madh kombëtar, që është zgjedhje të lira e të ndershme. Javën e ardhshme ju ftoj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas kësaj në çdo shesh e rrugë të çdo qyteti ku vullneti i shqiptarëve për demokraci nuk zbrapset kurrë më”, u shpreh Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat