Koço Kokëdhima: Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore

Shqipëria

Koço Kokëdhima: Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore

Më: 6 maj 2017 Në ora: 19:03
Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima

Themeluesi i Lëvizjes “ZGJIDHJA” Koço Kokëdhima nga Pogradeci është shprehur se reforma në drejtësi ka dështuar së bashku me reformën zgjedhore. Kokëdhima tha se zgjedhje pa standarde nuk mund të bëhen dhe shtoi se gjithashtu nuk mund të hyhet në zgjedhje pa opozitën.

“Nëse këto zgjedhje do bëheshin në një vend nga vijnë zotërinjtë diplomatë në fjalë, vendet e tyre do përfshiheshin në zjarr, në flakë e në përleshje. Këta diplomatë e dinë shumë mirë se pa zgjedhje të lira e të ndershme sistemi nuk funksionon, elitat politike nuk përtërihen, demokracia kushtetuese shndërrohet në një farsë dhe asnjë reformë tjetër nuk jep rezultate. Si mund të pretendojnë këta diplomatë për reformë drejtësie në Shqipëri kur ky vend nuk bën dot zgjedhje të lira e të ndershme? Kjo nuk qëndron, nuk bën sens. Reforma zgjedhore dhe pastrimi përfundimtar i zgjedhjeve në Shqipëri është reforma e të gjitha reformave, është mëma e të gjitha reformave. Fakti se këta diplomatë të huaj me influencë të madhe në qeverisjen e vendit tonë për kaq kohë injorojnë plotësisht situatën reale të zgjedhjeve, e vë në dyshim gjithë sinqeritetin e tyre në investimin për reformën në drejtësi. Drejtësinë e Shqipërisë nuk do e rregullojnë as këta diplomatë dhe as elita e korruptuar politike e Tiranës. Qeveria e ka bërë, e bën dhe do e bëjë korrupsionin edhe në të ardhmen.

Qeveritarët e majtë e të djathtë dhe elita politike shqiptare janë burimi më i madh i korrupsionit edhe në drejtësi. Drejtësia dhe çdo pushtet tjetër në Shqipëri do të fillojnë të rregullohen vetëm kur sovrani të vendoset në rolin e vet në demokraci, në rolin e sovranit. Vetëm kur populli të zgjedhë vetë përfaqësuesit në të gjitha pushtetet përmes primareve dhe përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme me standarde dhe gjithëpërfshirëse si në të gjitha vendet e tjera demokratike të botës. Si mund t’i besojmë këta diplomatë që thonë se mund të bëhet reforma në drejtësi edhe pa zgjedhje të lira e të ndershme, me zgjedhje pa standarde dhe jo gjithëpërfshirëse? Me këto zgjedhjet pa opozitën i bie që lidershipi i Rilindjes do të jetë edhe qeveria edhe opozita e ardhshme. Kështu reformën në drejtësi do e bëjë Rilindja me kukullat e saj. Po kush shqiptar mund të besojë se Rilindja do bëjë reformën në drejtësi? As Rilindja vetë nuk beson te drejtësia e saj.

Rama është një kryeministër me një qeveri që ndërhyn te njerëzit e drejtësisë, bën shantazhe e presion mbi çdo gjykatës dhe te çdo trup gjykues, kap prokurorët dhe ndërhyn te policët gjyqësorë, porosit procese e dënime penale për emra e persona të veçantë, urdhëron vetë dënime e ndëshkime të çdo lloji, pushon njerëz të thjeshtë nga puna për shkak të dallimeve të pikëpamjeve politike e filozofike, largon nga forumet e partisë pa asnjë rregull, forcërisht e me dhunë, çdo person që mendon ndryshe nga ai. Të besojmë se këta ambasadorët në fjalë janë naivë dhe mendojnë se zoti Rama si “sulltani i vogël” i parlamentit të ardhshëm jopluralist do t’u japë shqiptarëve drejtësinë e ëndërruar. Ky duket si vetëmashtrim. Të gjithë thonë gjërat që duan të dëgjojnë veshët e shqiptarëve të thjeshtë e të lodhur, por nuk janë duke bërë në fakt çfarë duan shqiptarët. Të gjithë janë duke bërë punët e tyre.

Reforma në drejtësi ka dështuar bashkë me dështimin e reformës zgjedhore. Këto janë dy dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Shqipëria nuk mund të ngrejë kokë nëse nuk bën reformën zgjedhore, votimin elektronik në qendrat e votimit, numërimin elektronik, zëvendësimin e administratës zgjedhore partiake me një administratë zgjedhore shtetërore, futjen në fuqi të një pakete të plotë me masa të rrepta ligjore që do të garantonin pastrimin e zgjedhjeve nga çdo fenomen i deformimit, cenimit dhe tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve. Duhet gjithashtu të ndërhyhet në kodin elektoral dhe në kushtetutë për t’i dhënë zgjidhje problemeve që kanë ngritur partitë e vogla, nevojës për hapjen e tregut politik, për respektimin e konkurrencës dhe diversitetit të përfaqësimit të votës së popullit në parlament.

Dua t’i pyes publikisht edhe një herë diplomatët e huaj në Tiranë: Kur e mendoni ju se është momenti që Shqipëria dhe shqiptarët të meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme me të njëjtat standarde si për të gjithë popujt e tjerë të demokracive perëndimore? Shqiptarët janë populli më proamerikan dhe më proeuropian në botën europiane. Ata kanë zgjedhur me besim të thellë dhe me koshiencë të plotë kombëtare, politike dhe kulturore të integrohen plotësisht në NATO dhe në BE. Megjithatë, shqiptarëve prej 23 viteve ju mohohet e drejta që të mbajnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Zgjidhja” as nuk pret dhe as nuk dëshiron që diplomacia euroatlantike të bëhet palë me Partinë Demokratike, por nuk pret dhe nuk dëshiron që të bëhet palë as me qeverinë dhe me mëkatet e saj në kurriz të popullit tonë. Koha për zgjedhje të lira e të ndershme është sot. Situata nuk mban dhe nuk duron më. Zgjedhjet e sivjetme duhet të bëhen me standardet më të mira. Nuk është asnjë humbje nëse shtyhen zgjedhjet në vjeshtë. Humbje e rëndë është në se bëhen zgjedhje si ato që janë bërë deri sot.

Populli ynë ka një besim të madh te Presidenti Trump. Ai është një njeri i drejtë dhe me zemër të madhe, e ka provuar në garën e vetë për president se sa të gabuar dhe të padrejtë janë kryeministri ynë dhe qeverisja e tij. Shpreh besimin se administrata e presidentit Trump do të ushtrojë gjithë ndikimin e vetë për të ndihmuar popullin tonë ta kapërcejë këtë moment të vështirë. Shqipëria është në një moment kyç të historisë së saj. Ajo duhet të instalojë sot dhe përfundimisht zgjedhje të lira, të drejta, të ndershme, të paqta dhe gjithëpërfshirëse. Shqipëria duhet të shkatërrojë sot sistemin e oligopoleve dhe monopoleve që sundojnë në politikën dhe në ekonominë e vendit. Sistemi i falimentuar politik në Shqipëri, po e zgjat agoninë e vet vetëm, sepse ambasadorët e vendeve partnere i shkelin syrin dhe vazhdojnë t’i injektojnë shiringa me mbështetje qeveritarëve të korruptuar të Tiranës.

Ky sistem i kalbur e i korruptuar do të shembet. “Zgjidhja” i fton të gjitha partitë shqiptare që e kuptojnë se kolapsi ka ardhur që të tërhiqen nga zgjedhjet e 18 qershorit. Zgjedhje pa opozitën nuk mund të bëhen dhe nuk duhet të bëhen. Zgjedhjet pa opozitën e eliminojnë edhe të vetmen arritje të sistemit politik të këtyre 25 viteve që shkuan, pluralizmin politik dhe nuk mund të prodhojnë institucione legjitime dhe stabilitet”, tha Koço Kokëdhima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat