Rriten pranimet në Universitetin e Tiranës, ja kuotat për çdo degë

Shqipëria

Rriten pranimet në Universitetin e Tiranës, ja kuotat për çdo degë

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 08:09
Universiteti i Tiranës

Për të disatin vit me radhë, Universiteti i Tiranës ka vendosur të rrisë me 5% numrin e studentëve që do të pranojë vitin e ardhshëm akademik. Në tabelën e mëposhtme, gazeta zbardh numrin e pranimeve për çdo degë në gjashtë fakultetet e UT-së, të cilat kanë njohur rritje deri në 20%, ndërsa nuk mungojnë as profilet e studimit që ofrojnë këtë vit më pak hapësirë për kandidatët e rinj.

E pashpjegueshme është ulja e numrit të pranimeve në degë të kërkuara te Fakulteti i Shkencave të Natyrës, si Informatika dhe Teknologjia e Informacionit, të cilat kanë rreth 100 kuota më pak nga viti i kaluar, përkatësisht nga 200 dhe 100. Jashtë frymës së rritjes në përgjithësi ka vepruar Fakulteti i Shkencave Sociale me 10% më pak kuota thuajse për secilën degë.

Nga ana tjetër, mund të thuhet se rritja ka prekur degët e Histori-Filologjisë dhe Gjuhët e Huaja. Fakulteti i Ekonomisë, ashtu siç ka lajmëruar edhe më herët, ka rritur numrin e studentëve me 10- 20% për degë, ndërsa Drejtësia, si program i integruar 5- vjeçar, këtë vit vjen me një unifikim kuotash e tarifash.

Image

Nga 660 të ofruara një vit më parë, numri ka shkuar në 750 kuota. Ato që është thënë se nuk do të ndryshojë në raport me një vit më parë janë tarifat, që për momentin janë burimi kryesor i të ardhurave për universitetet.

KRITERET

Për t’u lënë më shumë hapësirë maturantëve për të bërë zgjedhjen e tyre, Universiteti i Tiranës ka publikuar që në muajin janar kriteret për përllogaritjen e pikëve finale për secilin kandidat. Të përmirësuara në raport me një vit më parë, ata kanë një orientim specifik për çdo fakultet dhe degë studimi dhe bazohen në tri elemente thelbësore: mesatarja e studimeve të tri viteve, mesatarja e gruplëndëve specifike sipas programit të studimit, si dhe provimet e Maturës Shtetërore.

Më konkretisht, tek Histori-Filologjia do të vlerë- sohet me 80% mesatarja aritmetike dhe 20% mesatarja e lëndëve të Maturës Shtetërore, ndërsa Gjuhët e Huaja do të përllogarisin pikët vetëm mbi notën mesatare të tri viteve të gjimnazit, përfshi rezultatet e Maturës Shtetërore.

Ata që aplikojnë për në Fakultetin e Drejtësisë, 50% i marrin nga mesatarja e tri viteve të shkollës së mesme (përfshi mesataren e notave të provimeve të Maturës), ndërsa gjysmën e pikëve e sigurojnë nga nota mesatare e pesë lëndëve preferenciale: Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Histori, Qytetari, Ekonomi dhe Gjuhë e huaj. I vetmi fakultet që nuk ka ndryshuar kriteret, është ai i Ekonomisë, duke i dhënë notës mesatare të shkollës së mesme përfshirë dhe maturën shtetërore 50%, si dhe 50% për: Ekonomi, Matematikë, Fizikë dhe Gjuhë e Huaj.

Në Fakultetin e Shkencave Sociale, vlerësimi do të ndahet midis mesatares së thjeshtë të tri viteve që ka 50%, asaj të rezultateve të provimeve të Maturës 40% dhe 10% nga një provim me zgjedhje. Një formulë katërçipërisht të re kanë degët e Shkencave të Natyrës. 25% të pikëve maturantët i marrin nga mesatarja aritmetike e thjeshtë e nota përfundimtare të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit, 25% nga mesatarja e notave të provimeve të Maturës Shtetërore dhe gjysmën e pikëve nga gruplëndët e ndryshme për çdo degë: Biologji, Kimi, Fizikë dhe Matematikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat