Parlamenti i vjetër rimblidhet në seancë të jashtëzakonshme, ç’do miratojë

Shqipëria

Parlamenti i vjetër rimblidhet në seancë të jashtëzakonshme, ç’do miratojë

Më: 16 qershor 2017 Në ora: 08:19
Parlamenti i Shqipërisë

Parlamenti do të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshme ditën e shtunë, më datë 17 gusht, për të zëvendësuar deputeten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, nga komisioni ad hoc që do të votojë për anëtarët e Komisionit të Verifikimit dhe komisionerëve publikë, struktura që do të kryejnë vetingun.

Deputetët e Partisë Socialiste kanë mbledhur dje firmat për të thërritur një seancë të posaçme, pasi mungesa e deputetes së PD-së pengon votimin e anëtarëve që do të jenë pjesë e institucioneve të vetingut.

Deputetja e PD-së dy ditë më parë ka lindur në një spital jashtë vendit dy vajza dhe për këtë arsye e ka pasur të pamundur të ndjekë punimet e komisionit ad hoc. Duke qenë se në Parlament nuk u votuan anëtarë zëvendësues për komisionin ad hoc me 12 anëtarë, Parlamenti do të duhet të rimblidhet sërish në një seancë për të miratuar zëvendësimin e një deputeti.

“Në bazë të nenit 74, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 42, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, nga të gjitha Grupet Parlamentare kanë depozituar sot, me shkresën Nr. 1553 Prot, kërkesën për thirrjen e sesionit të jashtëzakonshëm ditën e shtunë, datë 17 qershor 2017, drejtuar Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

MBLEDHJA

Komisioni ad hoc ka zhvilluar dje një mbledhje të shkurtër, në të cilën kreu i saj, Pandeli Majko, njoftoi dështimin e këtij procesi. Majko dhe kolegët e tjerë shprehën mirëkuptim për mungesën e deputetes së Partisë Demokratike, por nga ana tjetër, njoftuan dhe zhvillimin e seancës plenare.

“Për arsye objektive dhe kur them për arsye objektive, dëshiroj t’i uroj koleges Jorida Tabaku për dy vajzat që sapo ka lindur. Mendoj se kjo është arsye më objektive sesa objektivja dhe më njerëzore sesa njerë- zorja. Jemi në kushtet kur nuk mund të kryejmë sot votimin që na kërkon ligji. Dhe duhet të ecim me procedurat përkatëse sipas ligjit për të bërë zëvendësimin e zonjës Tabaku me një koleg tjetër, sigurisht me vendimin e Parlamentit, gjë që na sjell natyrshëm sipas ligjit të thërrasim mbledhjen e Kuvendit. Do të fillojmë procedurat bashkë me sekretariatin teknik të komisionit, ne jemi për sa më shpejt, por sigurisht nuk vëmë në dyshim vullnetin e kolegëve as të LSI-së dhe as të PDIU-së”, tha dje Majko.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat