LSI denoncon: Drejtori i Spitalit në Sarandë, presion punonjësve që të marrin pjesë në mitingun e PS në Vlorë

Shqipëria

LSI denoncon: Drejtori i Spitalit në Sarandë, presion punonjësve që të marrin pjesë në mitingun e PS në Vlorë

Më: 23 qershor 2017 Në ora: 16:33
Ilustrim

Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga zgjedhjet e 25 qershorit, duket se “gjakrat” mes partive politike sa vijnë e shtohen. Gjithashtu nuk kanë munguar as akuzat për presione për heqjen nga puna.

Lidhur me këtë, Lëvizja Socialiste për Integrim në Sarandë ka denoncuar presionin, sipas saj, të drejtorit të spitalit të këtij qyteti, ndaj punonjësve të këtij institucioni për të marrë pjesë në mitingun përmbyllës të PS-së që do të mbahet sot në Vlorë.

Sipas LSI-së, Rilindja e trembur nga paniku i humbjes ka urdhëruar drejtorin e spitalit Arjan Kalcuni, t’i ushtrojë presion administratës.

NJOFTIMI I LSI SARANDË
Lëvizja Socialiste për Integrim Sarandë denoncon me forcë presionin që drejtori i Spitalit të Sarandës ka ushtruar ndaj punonjësve për të marrë pjesë në mitingun e rilindjes në Vlorë.
Qyteti i Sarandës prej ditësh po vuan një presion të paimagjinueshëm nga rilindja dhe drejtuesit e saj.
E trembur dhe në panik nga humbja në 25 qershor, rilindja urdhëron drejtorin e spitalit Arjan Kalcuni, një ushtar i verbër i partisë, ti bëj presion personelit të spitalit të shkoj në mitingun e sotëm në Vlorë.

Vetë drejtori Kalcuni në rolin e “fatorinos”, duke takuar personalisht çdo punonjës, i ka treguar për vendin dhe autobusin! Në të kundërt infermierët dhe mjekët do të shkarkohen nga puna. Ndërsa spitali do të punojë me staf të reduktuar. Situata është e njëjtë edhe në bashkinë e qytetit. I bëjmë thirrje task-forcës dhe ministrit të shëndetësisë, ta shkarkojë urgjentisht nga detyra këtë abuzues flagrant me ligjin dhe personalitetin e mjekëve. Ndërsa prokuroria duhet të hetojë këtë shkelje flagrante të ligjit dhe mos lejojë përsëritjen e këtyre gjesteve skandaloze. Qytetarëve sarandjot, delvinjot, himarjot e gjithë bregut, i bëjmë thirrje të ruajnë qetësinë dhe të dielën ti japin 1 shans Shqipërisë, për më shumë punësim dhe më shumë mirëqenie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat