Deda: E majta dhe socializmi i rrejshëm po ikin

Shqipëria

Deda: E majta dhe socializmi i rrejshëm po ikin

Nga: BOTA SOT Më: 23 qershor 2017 Në ora: 22:03
Albina Deda

Deputetja e PD-së Albina Deda, ka thënë se e majta e Edi Ramës po ikën nga Shqipëria. Në një reagim për media, Deda  ka ftuar të gjithë qytetarët që të votojnë PD-në, për siç ka thënë ajo "amanetin e breznive, që u shuan pa dritë dhe avenirin e gjeneratave që janë duke u rritë”, shkruan Bota sot.

Reagimi i plotë:

25-QERSHOR, VENDIM DHE JO DILEMË !

Miq e dashamirë!

Demokratë të Mirditës e gjithë Shqipërisë!

E majta dhe socializmi i rrejshëm njëlloj si babai i tyre komunizmi po përjeton ritet ateiste të funeralit pa kthim në të gjithë botën e qytetëruar. Bashkë me ta po ikën dhe oligarkia korruptive.

Kjo është aksioma e madhe e revolucionit pankozmik, i cili nuk ka ku shkon pa ndalur frymën në trojet tona.

Asnjë mashtrim, vegim e krim, propagandë e dhunim nuk e ndalon dot këtë proçes degradimi të tyre.

Çitjanet e batutat bastarde të Edi Ramës nuk mund të ushqejnë një popull në uri e varfëri, flamuri kuqezi nuk mund të rri në dorën e hajdutëve, nacionalizmi shqiptar nuk mund të ketë strehë koliben e pasardhësve të Dushan Mugoshës.

Në historinë tonë patëm luftëra e kryengritje, por jo revolucione! Më 25 qershor është finalizimi i revolucionit qytetar dhe i Republikës së Re, e cila u rrit e u poq nga idhnimi i një kombi prej dhunës, poshtërimit, korrupsionit e krimit.

Arma e vetme e Revolucionit tonë është vota me qytetari e mbështjellë me vullnetin për liri dinjitet e drejtësi.

Ndaj t’i lëmë ndasitë, interesat parciale meskine dhe bestytnitë e me votën e 25 qeshorit t’i tregojmë botës se trolli i Konstandinit, Gjergj Kastriotit e Shenjtës Nanë Terezë nuk është dheu i mallkimit, por atdheu i civilizimit.

Për amanetin e breznive, që u shuan pa dritë dhe avenirin e gjeneratave që janë duke u rritë, të votojmë PD-në, e cila ka treguar se ka shenjtëruar interesi qytetar!

Ne jemi shumë se Liria është e madhe, ne jemi fitimtar se kauzat vonojnë, por kurrë nuk vdesin e tjetërsohen, por triumfojnë./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat