Rama: Duhet të përmbysim sistemin, reforma në administratë e vështirë pasi prek interesat e partive

Shqipëria

Rama: Duhet të përmbysim sistemin, reforma në administratë e vështirë pasi prek interesat e partive

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 07:15
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten në mbrëmje se “administrata shtetërore do një reformë më vete dhe kjo është shumë e vështirë, sepse prek drejtpërdrejt interesat e partive”.

Pas mitingut përmbyllës të fushatës zgjedhore të mbajtur në Vlorë, kryeministri Rama foli në emisionin “Top Story” përpara një paneli gazetarësh, ku trajtoi edhe një herë disa prej çështjeve më kryesore të kësaj fushate elektorale.

Rama u ndal te çështja e administratës publike, që sipas tij “është njëra hallkë që dëshmon sistemin e dëmtuar, ku partitë e pushtetit e ndajnë administratën si tepsi”.

“Sistemi është i tillë që ka infektuar rregullisht partitë e vogla. Ndërsa partitë e mëdha nuk e kanë nevojë jetike, sepse nuk kanë nevojë të bëjnë punësime për të rritur anëtarët dhe ndikimin. Ama nuk diskutohet që sistemi është kanceroz dhe i ka prekur të gjithë. Por nëse partia e madhe ka vullnet, mund ta fillojë këtë operacion”, tha Rama, ndërsa solli si shembull suksesi reformën në policinë e shtetit, ku sipas tij, “ka kërkuar që Policinë të mos e ndaj mes partive dhe kjo ka funksionuar”.

Partia që punëson, sipas Ramës, buron dhe është zhvilluar shumë nga ky sistem. “Administrata shtetërore do një reformë më vete. Reforma e administratës është shumë e rëndë, sepse prek drejtpërdrejt interesin e partive. Shqipëria nuk ka nevojë për këtë”, tha Rama.

Nëse ne nuk e marrim timonin vetëm, shtoi kryeministri, “unë i pari nuk e bëj dot, sepse ose do mbash qeverinë dhe nuk ke numrat, ose është e pabëshme”.

Megjithatë Rama pranoi se në koalicionin qeverisës “PS ka pasur dorë të lirë për të bërë reformat, pasi ka pasur mbështetjen e votave si për reformimin e sektorit të energjisë, financave, policisë, arsimit”.

“Koalicioni i 45 muajve ka bërë reforma që nuk janë bërë më parë. Por ajo që unë po diskutoj është faza tjetër. Unë u them njerëzve që nëse duan të shpëtojnë nga ata që u nxijnë jetën nëpër zyra të më japin votën. Kjo nuk bëhet nëse nuk kemi timonin”, tha Rama.

Sipas tij, më mirë është të punësosh një person të aftë, sesa një person partiak por të paftë për punën. “Një socialist i paaftë do të mërzisë njerëzit dhe të humb shumë vota. Ndërsa një njeri të aftë, mund ta bësh socialist”, argumenton Rama.

Gjatë intervistës Rama theksoi se ai nuk ka konflikt me LSI-në, madje ai vuri në dukje se prej shtatorit të vitit të kaluar ka kërkuar të marrë konfirmimin për vijimin e koalicionit. “Unë nuk jam prishur me LSI-në në asnjë moment. Kam kërkuar që në shtator që të bëjmë koalicionin me Ilir Metën, por përgjigjja ishte strategjike “prit”. Kur kam ngritur këtë problem nuk e kam me LSI-në. Konfliktin e filloi LSI.”

71 deputetë është minimumi i deputetëve që Rama kërkon të marrë nga këto zgjedhje, pasi sipas tij, ky është edhe numri i duhur që e bën të pa shantazhueshëm pushtetin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat