Ndërtuesi mashtron pronarët, “ngujohen” në Prokurori

Shqipëria

Ndërtuesi mashtron pronarët, “ngujohen” në Prokurori

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 09:28
Prokuroria e Tiranës

Shtatë familje në zonën e Unazës së Re në Tiranë janë “ngujuar” në oborrin e Prokurorisë së Tiranës, si pasojë e një konflikti që ata kanë me ndërtuesin e pallatit në tokën e tyre. Ata kanë vite të tëra që enden nëpër institucione për problemin e tyre, ndërsa ende nuk kanë gjetur një zgjidhje. Teksa qëndronin në oborrin e Prokurorisë së Tiranës, banorët thanë se ndryshe nga sa kishin rënë dakord para nisjes së punimeve, investitori nuk u ka dhënë asnjë hyrje nga pallati i ndërtuar mbi tokën e tyre.

Ndërkohë, Prokuroria ka thirrur për ballafaqim palët, duke u kërkuar banorëve që për këtë çështje t’i drejtohen gjykatës, vendim që nuk është pranuar prej tyre. 7 familje të zonës së Unazës së Re në Tiranë kanë vendosur të “ngujohen” në oborrin e Prokurorisë deri në zgjidhjen e konfliktit që ata kanë me ndërtuesin, i cili sipas tyre nuk ka respektuar kontratën e sipërmarrjes për pallatin që ka ndërtuar në tokën e tyre.

“Në vitin 2007 prindërit e mi kanë bërë një kontratë sipërmarrje me firmën ndërtuese “Mesaplik 05’, ku është përcaktuar qartë që ditën që do fillonte ndërtimi në pronën tonë, ne do të ndanim sipërfaqet takuese me investitorin. Dhe sot që ka 4 vjet që ka filluar ndërtimi dhe pallati është mbushur me banorë ne s’kemi marr asnjëherë pjesën që na takon. Deri sa të zgjidhet problemi ynë, ne nuk lëvizim që këtu”, është shprehur njëri prej banorëve Gramoz Ahmetaj. Më tej, banorët kanë akuzuar se u janë falsifikuar edhe dokumentet e pronësisë.

“Prona jonë është tjetërsuar dhe ne jemi ankuar në Prokurori. Prokuroria nuk po merr asnjë masë. Ne ja kemi çuar provat, faktet të gjitha, që na janë falsifikuar dokumentet që në Komunën e Kasharit, që është dhënë një leje false mbi pronën tonë, ku ne i kemi dhënë 3045 metra katrorë firmës ndërtuese dhe ish-Komuna ka futur 707 metra”, ka thënë Ahmetaj. Paralelisht me protestën, Prokuroria e Tiranës ka thirrur për ballafaqim palët për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët ligjore. Sipas Prokurorisë, çështja është civile dhe duhet të zgjidhet duke iu drejtuar gjykatës, rrugë që nuk është pranuar nga banorët. Banorët e Unazës së Re kanë protestuar edhe në muajin shkurt për këtë çështje. Asokohe njëra nga protestueset, nënë dy fëmijëve kërcënoi se do të hidhej nga tarraca e pallatit të ri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat