Paralajmërimi i kreut të KQZ-së: Do ndëshkohet çdo shkelës i ligjit - Bota Sot
Paralajmërimi i kreut të KQZ-së: Do ndëshkohet çdo shkelës i ligjit

Shqipëria

Paralajmërimi i kreut të KQZ-së: Do ndëshkohet çdo shkelës i ligjit

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 10:35
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri dha një paralajmërim të fortë për të gjithë subjektet politike se do të ketë ndëshkim të çdo veprimi të komisionerëve dhe numëruesve që shkelin ligjin.

Zguri tha se KQZ nuk do lejojë askënd të cenojë ecurinë dhe mos përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor.

DEKLARATA E PLOTË

Nesër, në datë 25 qershor, në gjithë territorin e Republikës do të zhvillohen zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Në këto zgjedhje marrin pjesë 18 parti politike, të cilat kanë regjistruar 2666 kandidatë për deputetë.

Kanë të drejtën e votës, 3 milion e 452 mijë e 260 shqiptarë të cilët janë të regjistruar për të votuar në 5.362 qendra votimi. Në listën e zgjedhësve përqindja e femrave është 49,49%, ndërkohë që kandidate femra janë 1.073 ose e thënë ndryshe 40,23%.

Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht situatës politike parazgjedhore, ka bërë përpjekje maksimale dhe ka marrë të gjitha masat e duhura, për të realizuar zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare.

Sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur të gjithë punën përgatitore për ditën e votimit dhe është duke mbikëqyrur shpërndarjen e materialeve zgjedhore, nga KZAZ-të drejt qendrave të votimit.

Administrata zgjedhore në tërësinë e saj është gati për të menaxhuar procesin dhe për t’i dhënë vendit një proces zgjedhor të pakontestueshëm për shkak të saj dhe me standarde të larta administrimi.

Ne kemi në gadishmëri të plotë, të gjithë Adminsitratën për t’iu përgjigjur me urgjencë çdo vështirësie, problematike apo impasi që mund të krijohet.

Duke u garantuar mbështetjen e plotë komsionerëve të të gjitha niveleve, dua të paralajmëroj se KQZ nuk do të tolerojë askënd që me veprimet apo mosveprimet e tij të cenojë ecurinë dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor.

Komisioni ka vullnet të plotë për të ndëshkuar rreptësisht çdo sjellje dhe veprim të komisionerëve apo numëruesve, në kundërshtim me detyrën dhe në dëm të mbarëvajtjes së procesit.

Procesi zgjedhor është më i rëndësishëm se çdo parti.

Komisionerët dhe numëruesit janë në detyrë dhe në shërbim të ligjit dhe jo të partive politike.

Partitë e kanë përmbyllur tashmë fushatën zgjedhore dhe i kanë përcjellë mesazhet e tyre tek zgjedhësit. Dita e sotme është ditë e heshtjes zgjedhore.

Sot dhe nesër fuqinë e kanë zgjedhësit, ndaj u bëj thirrje subjekteve zgjedhore të respektojnë rigorozisht ligjin, të ushtrojnë vetfrenim dhe vetkufizim dhe të heqin dorë nga çdo aktivitet apo dalje publike në funksion të fushatës, si dhe mediave, të ndërpresin promovimin dhe anësitë në favor të partive apo kandidatëve.

Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në process, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale.

Në emër të KQZ-së, u kërkoj institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit/pengimit të incidenteve, si dhe kapjes e ndëshkimit të dhunuesve të ligjit.

Demokracia është pjesëmarrje. Sa më e madhe pjesëmarrja në zgjedhje, aq më e fortë demokracia!

Nesër shqiptarët kanë mundësinë të bëjnë demokraci, ndaj në emër të KQZ-së, i’u bëj apel të gjithë zgjedhësve të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ushtrojnë në liri të plotë e në respekt të ligjit masivisht të drejtën e tyre kushtetuese, të drejtën e Votës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat