Task Force nën drejtimin e Zv.Kryeministres Ledina Mandija ka zbuluar 18 raste punësimesh gjatë fushatës elektorale në Ujësjellësin e Tiranës, që varet direkt nga Bashkia e Tiranës.
Të gjitha këto punësime, por edhe 7 shkarkime në shkelje të Kodit Elektoral, i janë dërguar Prokurorisë.
Zyra e zv.Kryeministrit njoftoi se ka referuar në Prokurorinë e Përgjithshme, informacionin e verifikuar më parë nga grupi i kontrollit, se në shoqërinë Ujësjellës Kanalizime, e cila ka vartësi direkt nga Bashkia e Tiranës, pas datës 26 maj 2017 në të janë punësuar 18 shtetas dhe janë larguar 7, në shkelje të Kodit Elektoral .
Informacioni është verifikuar edhe nga Drejtoria e Tatimeve.
Zyra e zv,Kryeministres Mandija njofton se që ka dyshime të arsyeshme që janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës parashikuar si dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje parashikuar ne Kodin Penal.
Zyra e zv.kryeministres thekson edhe njëherë se Task Forca nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake.