Nesër votimi, KQZ: Gjithshka gati

Shqipëria

Nesër votimi, KQZ: Gjithshka gati

Më: 24 qershor 2017 Në ora: 20:31
Klement Zguri

Në Shqipëri sot ka nisur heshtja elektorale, ndërsa Komisioni Qëndror i zgjedhjeve është në përgatitjet e fundit për të procesin e votimit i cili hapet nesër në orën 7 të mëngjesit. Kryetari i këtij Komisioni Klement Zguri tha se se administrata zgjedhore është gati për t’i dhënë vendit një proces të pakontestueshëm, ndërsa theksoi se mbarëvajtja e tij do të përcaktohet nga sjellja e aktorëve politik.

Mbi 3 milion e 450 mijë shqiptarë janë thirrur të ushtrojnë nesër të drejtën e tyre të votës për zgjedhjet parlamentare të radhës, pjesëmarrja në të cilat si zakonisht, kushtëzohet fort nga numri i lartë i emigrantëve që e kanë të pamundur të jenë pjesë e procesit. Në të gjithë vendin do të funksionojnë 5362 qendra votimi. Në përfundim të procesit kutitë do të numërohen pranë 90 Komisioneve zonale.

?Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve Klement Zguri tha sot se institucioni që ia drejton ka përmbyllur të gjithë punën përgatitore për procesin e votimit: “Administrata zgjedhore në tërësinë e saj është gati për të menaxhuar procesin dhe për t’i dhënë vendit një proces zgjedhor të pakontestueshëm për shkak të saj dhe me standarde të larta administrimi. Ne kemi në gadishmëri të plotë, të gjithë Adminsitratën për t’iu përgjigjur me urgjencë çdo vështirësie, problematike apo impasi që mund të krijohet”

Në garën e nesërme marrin pjesë 18 forca politike, të cilat konkurrojnë me vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve që do të jenë në qendrat e votimit. “Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në process, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale”, u shpreh zoti Zguri.

Kreu i KQZ-ës i kërkoi institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit dhe pengimit të incidenteve, si dhe kapjen e ndëshkimin e dhunuesve të ligjit. MBi 7 mijë forca policore do të angazhohen për të garantuar procesin zgjedhor, ndërsa në të gjitha prokuroritë e rretheve janë krijuar strukturat e posaçme të gatishmërisë.

Zgjedhjet e ditës së dielë do të ndiqen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga parlamenti europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat