Qeveria, emrat që ikin dhe ministritë që shkrihen

Shqipëria

Qeveria, emrat që ikin dhe ministritë që shkrihen

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 11:24
Edi Rama

Numri i ministrive pritet të pësojë ulje në qeverinë e re, duke bërë bashkime të shumë dikastereve. Nga 19 ministri dhe posti i zëvendëskryeministri, në qeverinë e re që pritet të drejtohet nga po nga Edi Rama mendohet të ketë 9 ose 11 ministri. Burime të gazetës “Shekulli” kanë bërë me dije se kryeministri Rama ka pasur në tavolinë disa projekte që kanë pasur një emërues të përbashkët, atë të zvogëlimit të numrit të ministrive. Një prej propozimeve ka qenë kabinet me vetëm 9 ministri, që siç duket Rama nuk e ka pranuar dhe plani më i mundshëm dhe përfundimtar është një qeveri e re me 11 ministri. Kjo njëkohësisht nënkupton që një ministri ka më shumë përgjegjësi me të mëparshmet. Kjo pasi dy ministri të kabinetit aktual kthehet në një ministri pas konstituimit të qeverisë së re në shtator. Ditën e diel, kryeministri Rama do të bëjë publikë strukturën e re të qeverisë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Socialiste.

Nga ajo që është mësuar deri më tani, struktura e re qeveritare do të ketë disa bashkime të ministrive. Kështu, Ministria e Bujqësisë do të bashkohet me atë të Mjedisit, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor. Ndërkohë, është mësuar se në diskutim janë tre ministri të reja. Bëhet fjalë për një ministri të re të Thesarit, një të Gruas dhe një të Diasporës. Të dielën, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama do të bëjë të ditura vendimet e fundit lidhur me strukturën e re qeveritare. Ndërkohë, sa i përket emrave të ministrave dhe posteve të tjera pak gjëra janë të sigurta. I vetmi emër që duket i pandryshueshëm është ai i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së,  Gramoz Ruçi që do të marrë postin e kryetarit të Kuvendit. Figurat e vjetra të Partisë Socialiste pritet që të jenë drejtues të komisioneve, tashmë që do të jenë dy parti në opozitë.

Nëse Rama do të vendos emrat e ministrave në bazë të rezultateve që ata morën në zgjedhjet e 25 qershorit, atëherë disa prej tyre nuk do e kenë më postin në kabinetin socialist të pas shtatorit. Kështu, me bilanc negativ rezulton të jetë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj si drejtues i qarkut të Dibrës, Ditmir Bushati si drejtues i njësisë së Shkodrës. Në bilancin negativ përfshihet edhe ish-zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili në bashkinë Korçë ka shënuar rezultat negativ. Arben Ahmetaj është një tjetër koordinator që shënoi rënie votash në bashkinë e Kavajës dhe po ashtu Taulant Balla, si drejtues politik i qarkut të Elbasanit. Janë vlerësuar me rezultat pozitiv në bazë të votave të 25 qershorit, ministri Damian Gjiknuri dhe Fatmir Xhafaj. Pritet të shikohet nëse Rama do të vendos për emrat e kabinetit të ri qeveritar në bazë të këtyre rezultateve apo do të rezervojë surpriza.

Asambleja e PS-së

Asambleja e Partisë Socialiste do të mblidhet të dielën më 27 gusht për prezantimin e raporteve të grupeve të punës të ngritura nga kryetari i partisë Edi Rama pas zgjedhjeve. Socialistët do të mblidhen në orën 10:00 në “Hotel Tirana”. Në fillim të Asamblesë rendin e ditës do ta hapë prezantimi i raportit të grupit të punës për veprimtarinë parlamentare. Më pas vijon me raportin e dëgjesave publike, atë të grupit të punës për ristrukturimin e institucioneve. Tre raportet e mbetura janë ai për lehtësimin e procedurave burokratike, për Organizimin dhe Koordinimin Elektoral të PS dhe miratimi më pas i projektvendimit për zgjedhjet e reja në parti. Më pas fjala përmbyllëse i takon kreut të partisë Edi Rama i cili do të flasë për bilancin politik të 25 qershorit dhe sfidat e mandatit të ri.

Axhenda e Asamblesë të dielën

1.Çelja e punimeve të Asamblesë nga kryetari i Asamblesë dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruci; miratimi i rendit të ditës

 

Raporti i grupit të punës për veprimtarinë parlamentare, Taulant Balla

 

Raporti i Dëgjesave Publike, përmbledhja e 12 qarqeve, Milva Ekonomi

 

Raporti i Grupit të Punës për ristrukturimin e institucioneve, (7min)

 

Raporti i Grupit te Punës për Lehtësimin e Procedurave Burokratike, Arben Ahmetaj

 

Bilanci i zgjedhjeve 2017 dhe Raporti i Grupit te Punës për Organizimin dhe Koordinimin Elektoral te PS, Blerina Gjylameti

 

Miratimi i projektvendimit për zgjedhjet e reja në parti

 

Fjala përmbyllëse nga kryetari i partisë – Bilanci politik i 25 qershorit dhe sfidat e mandatit të ri

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat