“Shqipëria rrezikon vizat, qeveria kërkon ta zerojë shqetësimin”

Shqipëria

“Shqipëria rrezikon vizat, qeveria kërkon ta zerojë shqetësimin”

Më: 23 gusht 2017 Në ora: 12:10
Tritan Shehu

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërcënimin e Holandës për të rikthyer Shqipërisë vizat e quan alarmant, dhe për këtë ai fajëson qeverinë e cila sipas tij vazhdon të mbajë qëndrim indiferent. Duke folur për shanset që ekzistojnë që Shqipërisë ti rikthehen vizat, në një intervistë për gazetën “Shekulli” ai thotë se teorikisht një masë e tillë është e mundur. “Nëse standardet e përcaktuara shkelen edhe vizat mund të rikthehen. Mjafton që një vend të hap këtë procedurë dhe pastaj nuk dihet se si përfundon ajo me tej, veçanërisht tashti në këtë periudhe të komplikuar ndërkombëtare, me përplasje, terrorizëm, ksenofobira, krim etj”, tha ai. Shqetësimi i shprehur në raportin e autoriteteve holandeze thotë Shehu ekziston prej kohësh, dhe ai paralajmëron se situata mund të përkeqësohet më shumë nëse nuk merren masa drastike nga qeveria shqiptare.

Prej ditësh po flitet për kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave për Shqipërinë. A është e mundur që Shqipërisë ti rikthehen vizat ?

Së pari uroj që rivendosja e vizave mos të ndodhi më kurrë për vendin tonë, përkundrazi shpresoj që ne të jemi nesër pjesë e plotë e Shengen dhe e BE-së. Do të ishte një përgjegjësi kolosale dhe një disfatë historike për çdo qeveri që do të bënte pllakosjen e një fatkeqësie të tillë, jo vetëm për lëvizjen e lirë, por për të gjithë procesin e integrimit europian. Për momentin unë e kam të vështirë ta vlerësoj se sa është real ky rrezik për neve, por absolutisht nuk jam dakord me Qeverinë, e cila kërkon ta zerojë këtë rrezik. Teorikisht një masë e tillë është e mundur. Nëse standardet e përcaktuara shkelen edhe vizat mund të rikthehen.  Mjafton që një vend të hap këtë procedurë dhe pastaj nuk dihet se si përfundon ajo me tej, veçanërisht tash në këtë periudhë të komplikuar ndërkombëtare, me përplasje, terrorizëm, ksenofobira, krim etj. Pra unë nuk do të isha kaq i “qetë” sepse situata është realisht e komplikuar. Mjafton një shkëndije që të bëhet një dëm gjigant për ne.

Pra situata është shqetësuese. Fakti që një vend si Holanda e ka hapur qoftë edhe një diskutim të tillë, në fakt është më shumë se kaq, është problem i madh. Në fakt te tilla sinjale nuk kanë ardhur vetëm nga Holanda, por dhe nga vende të tjera të Shengen në forma të ndryshme këto. Dhe këto sinjale lidhen me elemente konkret të asaj që realisht po shkon se mbrapshti në Shqipëri duke dhënë pastaj reperkusione të pallogaritshme. Në dukje kjo është e lidhur me fenomenin e azilkërkueseve, që ka arritur shifra stratosferike, me drogën që ka mbuluar vendin duke u kthyer në furnizuesin me Kanabis të Europës, gjë që shumëfishon veprimtaritë e grupet kriminale, krimin, gjendjen e institucioneve tonë që po shkojnë keq e më keq, korrupsionin etj. Të gjitha këto janë pasojë e keq qeverisjes, kriminalizimit të institucioneve, varfërisë, papunësisë etj dhe mund të bëjnë që një vend i Bashkimit Evropian të fillojë procedurën për bllokimin e shtetasve  shqiptar në lëvizjen e lirë, e më tej asnjë nuk parashikon dot se çfarë mund të ndodhë.

Në gjithë këtë situatë opozita a e ka bërë ashtu siç duhet punën e saj?

Opozita ka bërë e po bën përpjekjet e saj. Ajo ka ngritur e po ngre zërin. Kur ishte në qeverisje i zgjidhi problemet kryesore dhe arriti suksese thelbësore. Çështjen e azilkërkuesve por dhe atë të drogës, krimit, korrupsionit, varfërisë. Opozita i ka artikuluar si probleme prej kohësh. Por të gjitha këto janë detyrime që duhet ti zgjidhë qeveria. Opozita është shprehur vazhdimisht për këtë gjë, ka evidentuar rrezikun që tashmë është shndërruar në rrezik real, gjë që duhet të merret me shumë seriozitet sepse  mund të përkeqësohet edhe më tej e pastaj të ndodhin kthesa katastrofale për vendin.

Kur thoni mund të përkeqësohet çfarë mund të ndodhë?

Që do të thotë se situata mund të përkeqësohet në shumë elementë dhe të shtohen masat shtrënguese për Shqipërinë, të cilat siç duket mund të ndodhin, se pari duke penguar lëvizjen e lirë e së dyti të gjithë procesin tonë të integrimit europian.

Ka pasur raste më herët që një vend pasi të jetë liberalizuar vizat ti jenë hequr ose të jetë ndëshkuar në ndonjë formë tjetër?

Jo nuk ka pasur. Nuk ka ndodhur me asnjë prej vendeve që u janë liberalizuar tu tërhiqen vizat, por teorikisht ekziston. Thuhet qartë se vendi që nuk i plotëson kriteret dhe gjykohet se po kthehet mbrapa e po krijon probleme për zonën tjetër të Shengenit të kthehet siç ka qenë qoftë përkohësisht qoftë edhe për afat te pa përcaktuar në regjimin e vizave. Kjo është e shënuar në një nga pikat.

Pas këtij lajmi jo të mirë për Shqipërinë a ka reaguar siç duhet qeveria Shqiptare?

Nuk kam parë asnjë reagim serioz përveç se për të minimizuar e fshehur rrezikun, duke thënë se shqetësimi nuk ekziston, duke e kthyer çështjen në sulme qesharake kundër opozitës. Të njëjtën gjë ka bërë kjo qeveri dikur edhe për avionët e drogës, edhe me sipërfaqet e drogës, edhe me kriminelët në Kuvend etj. Qeveria po përfiton nga fakti që parlamenti është i mbyllur sepse kjo do të ishte shndërruar në çështje parlamentare padyshim. Unë shpresoj që qeveria shqiptare të ketë pasur kontakte me qeverinë holandeze por siç thashë me lart në e dimë ky është shqetësim nuk është vetëm në Holandë. Janë edhe vende të tjera si Franca, Gjermania etj që kanë pasur probleme të madh me azilkërkuesit, krimin e drogën tonë. Pra problemi është më i gjerë se sa droga e krimi në Holandë, është shume me kompleks e i ka rrënjët të problemet tona të brendshme në tërësi. Me problemet e mëdha tonat dhe me eksportimin e tyre drejt vendeve te BE ne mund të krijojmë një lodhje të Evropës ndaj nesh, një imazh shume  negativ të Evropës për ne, kjo është çështja dhe ky është problem i madh, gjë që padyshim do krijojë e po krijon reaksione negative ndaj nesh.

Çfarë duhet bërë tani qeveria jonë për të parandaluar këtë që ju e quani lodhje të Europës?

Çështja është shumë e komplikuar sepse kjo lidhet me zhvillimin ekonomik, me hapjen e vendeve të punës, me luftën kundër drogës, me luftën kundër kriminalitetit, me drogën qe ka mbuluar vendin, korrupsionin, mënyrën e besueshmërisë si funksionon administrata, besueshmërinë e dokumentacionit etj. Kërkohen masa të gjithanshme për të dalë nga kjo krizë rendë për vendin me pasoja pastaj edhe ne planin ndërkombëtar, për të mos folur sot për çështje që lidhen me politikën e jashtme, me sinjale negative të dhëna nga ne në prioritetet tonë strategjike, në mungesën e seriozitetit me partnerët etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat